Harta e Shqipërisë ka nevojë të shtojë disa emra dhe të fshijë disa të tjerë Duhet të rivitalizohen emrat e krahinave të mëdha LEXO edhe...Protesta në Poliçan, banorët i vënë flakën teserave të PS-së dhe draftit socialist të Reformës Territoriale, kreu i PS-së së qytetit jep dorëheqjen(VIDEO) Të ashtuquajturat reforma, që u ndërmorën pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ndër të tjera, përfshinë edhe kaosin me pronësinë mbi tokën si dhe krijimin e një strukture administrative surreale si qarku. Me këtë të dytën u krijua iluzioni se një pjesë e pushtetit zbriti më afër njerzve, por në fakt krejt e kundërta ndodhi. Qarqet mbetën struktura anemike dhe krejt parazitare që vetëm sa punësojnë disa njerëz, ngatërrojnë disa punë dhe mbajnë gjallë iluzionin se edhe Shqipëria është një vend i rajoneve. Ajo që tani po thirret si reforma administrative dhe territoriale do të duhej që, përpara se të merrej me hartën administrative të bashkive, të trajtonte, më në fund, anomalinë e madhe të qarqeve realisht të munguara të Shqipërisë. Edhe Shqipëria si shtet, ashtu si edhe vendet e tjera, është krijuar përmes një procesi të gjatë e të ndërlikuar historik. Më së pari janë krijuar fshatrat, qytetet, krahinat, mbi të cilat, më vonë, u krijua edhe vetë Shqipëria. Krahinat e shquara janë më të vjetra se sa vetë shteti i sotëm shqiptar. Mirdita, Labëria, Mallakastra, Malësia e Madhe, Lunxheria, Dukagjini, Dibra, Kolonja, Mati, Myzeqeja, Gora, Luma, Dangëllia, Hasi, Çermenika, Devolli e të tjera krahina kanë qenë ato kolona mbi të cilat është ngritur dhe qëndron Shqipëria. Aty janë ngjizur të gjitha vlerat, traditat, tiparet, gjuha, dialektet, kostumet, kanunet, doket dhe të gjitha ato karakteristika që formojnë profilin e shqiptarit dhe të shtetit të tyre të sotëm. Përgjatë historisë së tij, shteti shqiptar është përpjekur që të krijojë një profil shumë unitar dhe centralizues. Kjo përpjekje kulmoi gjatë regjimit komunist, i cili tentoi që të shuajë çfardo lloj identiteti kolektiv apo individual. Pasojë e kësaj përpjekjeje rrafshuese ishte jo vetëm shpërbërja e bashkësive fetare tradicionale, por edhe fshirja nga harta administrative e krahinave tradicionale të vendit. Shqipëria mori trajtën e një krijese artificiale, pa ngjyrë dhe pa temperament, ku shqiptarët vetëm sa u tëhuajzuan edhe më shumë me shtetin ku mungonin krahinat e tyre. Edhe vetë Europa, ku Shqipëria synon prej kohësh të anëtarësohet, është, më së pari, një Europë e rajoneve. Italia, Gjermania, Spanja, Austria, Belgjika dhe të gjitha vendet e tjera të BE janë vende që përbëhen nga rajone. Rajonet janë struktura të fuqishme politike, ekonomike dhe kulturore që përbëjnë shtetin, i cili ushtron vetëm ato funksione që nuk mund të kryhen nga rajonet apo strukturat poshtë tyre. Nëse Shqipëria ka vërtet qëllim që të reformohet në frymë europiane, do të duhet që në këtë aspekt të ndërmarrë një reformë të mirëfilltë administrative dhe territoriale, e cila do të duhet që më në fund të krijojë rajonet, qarqet apo krahinat. Sigurisht që duhet zgjedhur një emër i përshtatshëm për këtë nivel organizimi shtetëror, i cili sot vetëm sa ekziston i shkruar në kushtetutë në trajtën e qarkut, por që realisht mungon. Dhe ashtu si vendet e tjera, Shqipëria duhet t’i emërtojë qarqet e saj jo me emra të qyteteve të mëdha, por të krahinave të mëdha historike. Mjaft e madhe dhe e përjetshme është Roma, por rajoni ku ajo bën pjesë quhet Lazio. Famë në të gjithë botën ka Milano, por pjesë e Lombardisë është. Dhe kështu më tej, emra të tjerë të famshëm si Firence, Venecia, apo Torino, nënrenditen poshtë emrave të rajoneve si Toscana, Veneto apo Piemonte. E njejta logjikë ndjek edhe emërtimet e tjera rajoneve në shumë prej vendeve të tjera europiane. Do të ishte një rast i mirë për të shpëtuar nga zhdukja emrat e krahinave të mëdha të Shqipërisë, duke i emërtuar qarqet e saj jo me emra qytetesh, por me emrat e tyre. Shqipërisë do t’i bënin nder edhe qarqe me emra Mirditë, Labëri, Has e Lumë, Myzeqe, Mallakastër e kështu me radhë. Sigurisht që konkretizimi i kësaj nisme do të kërkonte një studim të hollësishëm bazuar në kritere të qarta gjeografike, historike, kulturore, etnografike, gjuhësore, etj., për të cilin nuk nevojiten vite vonesë. Nga ana tjetër, do të duhej që reforma të mos reduktohej në një fushatë emërtimesh të reja në trajtën e etiketave formale, por të krijonte mbi këtë bazë një nivel të rëndësishëm dhe funksional të pushtetit vendor, me të gjitha atributet e nevojshme. Për këtë do të duhej që të prekej rrënjësisht kushtetuta e vendit, për të krijuar hapësirat e nevojshme për krijimin dhe funksionimin e qarqeve si entitete politike, ekonomike, kulturore dhe shoqerore, ku materializohet realisht pushteti i qytetarëve si dhe pasuria e vërtetë historike, kulturore dhe etnografike e vendit, krejt në pajtim me identitetin shqiptar dhe përvojat më të mira europiane në këtë fushë. Por disa emra duhen fshirë Aq sa ka nevojë Shqipëria për të ringjallur emrat legjendarë të pjesëve më vitale të saj, po aq nevojë ka ajo për t’u ndarë me disa toponime në gjuhë të huaj të cilat, prej shumë kohësh, kanë mbijetuar si parazitë pa asnjë lidhje dhe pa asnjë kuptim në shumë pjesë të vendit. Tashmë që vendi është bërë i arritshëm për shumë vizitorë dhe kur jo pak tabela me emërtime fshatrash apo qytetesh janë shfaqur në anë të rrugëve të tij, ka dalë në pah më dukshëm një realitet disi surreal. Janë jo pak qytete apo fshatra në Shqipëri, ku, për shembull, e vetmja fjalë me origjinë sllave që banorët shqiptojnë pa ia ditur kuptimin është emri i vendbanimit të tyre. Në një vend ku e gjithë mikrotoponimia është krejtësisht shqipe është paradoksale emërtimi i njësive administrative në një gjuhë të huaj. Indiferenca apo padija e administratave shqiptare përgjatë më shumë se një shekulli histori shtetërore, nuk u kanë dhënë kurrfarë legjitimiteti emërtimeve irrituese, kryesisht sllave të shumë qyteteve apo fshatrave të Shqipërisë. Shqiptarët, që do të lindin sot e nesër në Shqipëri, nuk kanë përse të mbajnë si pjesë të indentitetit personal emërtime sllave të cilave nuk u dijnë madje as kuptimin. Rasti i para disa viteve me Bashkinë Dimal mund të ndiqet kudo për t’u dhënë emrin e duhur të gjitha qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë. Dhe për këtë nuk ka nevojë as për autorizim dhe as për hezitim. Çdo shtet i emërton vetë njësitë e tij administrative. Ata që hezitojnë për këtë, mbase duhet të sjellin nëpër mend se vende të tjera, madje jo shumë larg nesh, kanë ndërruar edhe emrat e përveçëm të atyre që i kanë bërë shtetas apo që u kanë dhënë leje qëndrimi. Sigurisht që Shqipëria nuk mund të mendojë kurrë për të prekur emrat e përveçëm të cilët janë atribut personal, por ajo duhet që të emërtojë vetë në gjuhën e popullit të saj të gjitha njësitë administrative. Emërtimet e njësive adminisitrative të vendosura nga autoritete të huaja pushtuese përpara shumë shekujve nuk kanë kurrfarë legjitimiteti dhe apo kuptimi. Ato thjesht duhen ndryshuar. P.J/ReportTv.al reforma territoriale shqiperi Sander Lleshaj Komento Komente Sondazhi i ditës: Si iu duket propozimi i PS-së që nga 61 të kalohet në 46 bashki? I drejtë 64.6% I gabuar 27.6% I/e dyzuar 7.7% Vota total: 1123 Sondazhi i ditës: Si iu duket propozimi i PS-së që nga 61 të kalohet në 46 bashki?

