Një biletë lotarie fituese me vlerë 1 milion euro është shpëtuar nga mbeturinat në Itali, pas një operacioni të pazakontë kërkimi që përfi me sukses falë punonjësve të kompanisë së pastrimit.
Ngjarja ndodhi në Bitonto, pranë Barit, ku një grua kishte blerë një biletë lotarie dhe shkoi ta verifikonte në një pikë shitjeje pas hedhjes së shortit. Pajisja e dyqanit shfaqi mesazhin “nuk paguhet”, çka e bëri të besonte se nuk kishte fituar. Në fakt, arsyeja ishte krejt tjetër: çmimi prej 1 milion eurosh ishte shumë i lartë për t’u tërhequr në atë pikë shitjeje.
Duke menduar se bileta nuk kishte vlerë, gruaja e la atë në dyqan, ku më pas përfi në koshin e mbeturinave. Vetëm pasi u kthye në shtëpi, një familjar e informoi se numrat e saj rezultonin fitues. Ata u kthyen menjëherë në dyqan, por deri atëherë kamioni i mbeturinave ishte larguar.
Familja kontaktoi kompaninë SANB, e cila lokalizoi automjetin dhe organizoi një operacion kërkimi në një impiant të specializuar për përpunimin e mbetjeve. Për arsye sigurie, kontrolli nuk u krye në rrugë, por në ambientet e impiantit, ku punonjësit kaluan disa orë duke kontrolluar qeset me mbeturina.
Pas një kërkimi të gjatë, rreth orës 05:30 të mëngjesit, një prej punonjësve gjeti biletën fituese ende të paprekur brenda një qeseje të grisur, mes shumë biletave të tjera të dëmtuara.
Drejtori i SANB-së, Roberto Nicola Toscano, tha se momenti kur i komunikoi gruas lajmin ishte tepër emocionues. Sipas tij, ajo shpërtheu në lot sapo mësoi se bileta ishte gjetur dhe se çmimi prej 1 milion eurosh ishte shpëtuar. “Do ta kisha përqafuar, por po flisnim në telefon”, u shpreh ai.
Falë përkushtimit të punonjësve të shërbimit të pastrimit, historia pati një fund të lumtur, duke i rikthyer fitueses një biletë që për pak sa nuk humbi bashkë me mbeturinat.

