Lajme Zone
Pse u largua Piero Ausilio nga Interi pas 28 vitesh? Zbulohen arsyet pse sollën ‘divorcin’ e drejtorit sportiv dhe klubit zikaltër
SportTop Channel

Pse u largua Piero Ausilio nga Interi pas 28 vitesh? Zbulohen arsyet pse sollën ‘divorcin’ e drejtorit sportiv dhe klubit zikaltër

Pas 28 vitesh në klub dhe një karriere që e çoi deri në postin e drejtorit sportiv, Piero Ausilio është larguar nga Interi.

Pas 28 vitesh në klub dhe një karriere që e çoi deri në postin e drejtorit sportiv, Piero Ausilio është larguar nga Interi. Ndarja mes palëve erdhi pas përfundimit të merkatos, kur Ausilio firmosi ndërprerjen me marrëveshje të përbashkët të kontratës së tij, e cila skadonte në qershor.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, arsyeja kryesore që çoi në largimin e tij lidhet me negociatat për rinovimin e kontratës. Ausilio kërkonte një zgjatje trevjeçare dhe një përmirësim të ndjeshëm financiar të marrëveshjes.

Megjithatë, oferta e klubit nuk përputhej me pritshmëritë e drejtorit sportiv, i cili vendosi të mos e pranonte. Në të njëjtën kohë, drejtuesit e Interit duket se nuk ishin më të bindur për një investim afatgjatë te Ausilio, duke bërë që të dyja palët të arrinin në përfundimin se ndarja ishte zgjidhja më e mirë.

Largimi u bë në një atmosferë korrekte, pa përplasje publike. Ausilio përshëndeti klubin duke theksuar lidhjen e fortë me Interin.

“Interi është në gjakun tim, është lëkura ime e dytë. Ishte një nder të drejtoja këtë gjigant të futbollit botëror”, deklaroi ai pas largimit.

Në vend të Ausilios, Interi ka vendosur të promovojë Dario Baccin, i cili prej vitesh ka qenë pjesë e strukturës drejtuese të klubit dhe konsiderohet një figurë e afërt me presidentin Beppe Marotta.

Ausilio, ndërkohë, pritet të marrë kohë për pushime dhe më pas të vlerësojë mundësitë për një aventurë të re profesionale. Top Channel