Temperatura mesatare e trupit të njeriut duket se është ulur gjatë 150 viteve të fundit. Nëse në shekullin XIX vlera 37 gradë Celsius konsiderohej norma për një të rritur të shëndetshëm, studimet e mëvonshme sugjerojnë se sot mesatarja është më afër 36.4 gradë Celsius. Shkencëtarët kanë disa hipoteza për këtë ndryshim, por ende nuk kanë një shpjegim përfundimtar. Në vitet 1860, mjeku gjerman Carl Wunderlich nisi një studim të gjerë për të përcaktuar nëse temperatura e lartë ishte një sëmundje më vete apo simptomë e një problemi tjetër shëndetësor. Për 15 vjet, ai mblodhi më shumë se një milion matje të temperaturës në sqetull te rreth 25 mijë pacientë, duke llogaritur një mesatare prej 37 gradësh Celsius për të rriturit e shëndetshëm.Lexo edhe:A mund të ndihmojë një dietë e diskutueshme në trajtimin e një shkaku të fshehur të migrenës? Kjo vlerë u kthye në standardin e përdorur për të përcaktuar temperaturën normale të trupit dhe për të identifikuar ethet. Sipas historianit të mjekësisë dhe ekspertit të sëmundjeve infektive Philip Mackowiak, të dhënat e gjera të Wunderlich i dhanë kësaj vlere një status të veçantë në praktikën mjekësore. Megjithatë, studimet e dekadave të fundit tregojnë se temperatura mesatare e trupit ka ndryshuar. Një ekip studiuesish i drejtuar nga Julie Parsonnet, specialiste e sëmundjeve infektive në Universitetin Stanford, analizoi të dhëna nga afro 190 mijë persona në SHBA, të mbledhura mes viteve 1862 dhe 2017. Përfundimi ishte se temperatura normale e të rriturve sot duket të jetë rreth 36.39 gradë Celsius. Sipas të dhënave të studimit, burrat amerikanë kanë një temperaturë mesatare rreth 0.59 gradë më të ulët se homologët e tyre të fillimit të shekullit XIX. Ky fenomen nuk është vërejtur vetëm në vendet e zhvilluara. Antropologu biologjik Adrian Jaeggi, nga Universiteti i Zyrihut, thotë se edhe te komuniteti indigjen Tsimane, që jeton në pyjet e Amazonës, temperatura mesatare ka rënë. Në fillim të viteve 2000 ajo ishte rreth 37 gradë, ndërsa në vitin 2018 kishte zbritur në 36.5 gradë Celsius, pas dy dekadash ndryshimesh të shpejta socio-ekonomike. Pse po ftohet trupi i njeriut? Një nga shpjegimet kryesore lidhet me përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm dhe uljen e barrës së sëmundjeve infektive. Në kohën e Wunderlich, jetëgjatësia ishte rreth 38 vjet, ndërsa sot është pothuajse dyfishuar. Parsonnet argumenton se njerëzit në shekullin XIX përballeshin më shpesh me sëmundje si tuberkulozi, dizenteria, ethet reumatizmale dhe infeksionet e rënda. Lufta e vazhdueshme e sistemit imunitar kundër këtyre sëmundjeve kërkonte më shumë energji dhe prodhonte më shumë nxehtësi. Përmirësimi i higjienës, vaksinimi dhe kushtet më të mira të jetesës kanë ndikuar gjithashtu në uljen e infeksioneve. Kjo është vërejtur edhe te komuniteti Tsimane, ku përdorimi më i gjerë i tualeteve dhe këpucëve ka reduktuar infeksionet e shkaktuara nga parazitët që gjenden në tokën e ndotur. Një tjetër faktor mund të jetë kontrolli më i mirë i temperaturës në ambientet ku jetojmë. Kondicionerët dhe sistemet e ngrohjes bëjnë që njerëzit të kalojnë pjesën më të madhe të kohës në një klimë të qëndrueshme, ku trupi nuk ka nevojë të shpenzojë shumë energji për të ruajtur temperaturën e tij. A ishte e pasaktë matja e parë prej 37 gradësh? Jo të gjithë shkencëtarët janë të bindur se rënia e temperaturës lidhet vetëm me përmirësimin e shëndetit. Philip Mackowiak ngre dyshime për saktësinë e pajisjeve që përdorte Wunderlich. Kur pati mundësinë të ekzaminonte një nga termometrat prej qelqi të mjekut gjerman, ai vuri re se pajisja mund të ishte e kalibruar rreth 2 gradë më lart se termometrat modernë. Kjo do të thotë se matjet e asaj kohe mund të kenë qenë më të larta nga sa duhej. Për më tepër, termometrat me merkur kërkonin shumë kohë për të dhënë një rezultat. Pacientët duhej të qëndronin të palëvizur për 15 deri në 20 minuta. Wunderlich matjet i kryente në sqetull, ndërsa sot përdoren më shpesh matjet në gojë, duke e bërë krahasimin mes dy periudhave më të ndërlikuar. Megjithatë, Parsonnet dhe ekipi i saj nuk mendojnë se gabimet e kalibrimit e shpjegojnë të gjithë ndryshimin. Ata krahasuan të dhëna historike të veteranëve të Ushtrisë së Unionit, të mbledhura mes viteve 1862 dhe 1930, si dhe dy grupe të tjera matjesh më moderne, të realizuara nga viti 1971 deri në vitin 2017. Edhe në këto të dhëna u vu re e njëjta prirje në rënie. Çfarë e përcakton temperaturën normale të trupit? Temperatura e trupit nuk është e njëjtë për të gjithë dhe ndikohet nga disa faktorë: - Mosha: Të moshuarit kanë përgjithësisht temperaturë më të ulët, pasi metabolizmi ngadalësohet dhe trupi shpenzon më pak energji. - Gjinia: Gratë kanë tendencë të kenë temperaturë mesatare më të lartë se burrat, edhe jashtë ndryshimeve që lidhen me ciklin menstrual. Shkencëtarët ende nuk e kanë të qartë arsyen. - Ora e ditës: Temperatura ndjek një ritëm cirkadian. Ajo është më e ulët në orët e para të mëngjesit, rreth orës 03:00-05:00, dhe arrin kulmin pasdite, mes orës 16:00 dhe 18:00. - Gjatësia dhe pesha: Njerëzit më të gjatë kanë tendencë të kenë temperaturë më të ulët, ndërsa pesha më e madhe mund ta rrisë atë pak. A duhet të ndryshojë standardi prej 37 gradësh? Disa burime mjekësore autoritative, mes tyre libri ‘Harrison's Principles of Internal Medicine’ dhe databaza online ‘UpToDate’, e kanë rishikuar tashmë rëndësinë e vlerës 37 gradë Celsius si standard universal. Ekspertët theksojnë se nuk duhet t'i kushtohet rëndësi e tepruar një shifre të vetme. Temperatura normale ndryshon nga personi në person dhe gjatë ditës, ndërsa kalimi nga 36.99 në 37.01 gradë nuk përbën një ndryshim të rëndësishëm në gjendjen shëndetësore. Megjithatë, temperaturat shumë të ulëta ose shumë të larta mund të jenë shenjë e një problemi serioz. Te të rriturit, vlerat nën 35 gradë ose mbi 40 gradë Celsius kërkojnë vëmendje mjekësore. Përfundimisht, 37 gradët nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht temperaturën normale për çdo njeri. Ajo që ka më shumë rëndësi është njohja e temperaturës së zakonshme të trupit dhe vlerësimi i ndryshimeve në raport me gjendjen e përgjithshme shëndetësore.

