Lajme Zone
Pse është “sekret shtetëror” transferimi i Veliajt në Fier?
PolitikëPolitiko
Ky artikull është pjesë e një historie me 9 burime — Krahaso mbulimin →

Pse është “sekret shtetëror” transferimi i Veliajt në Fier?

Transferimi i Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në burgun e sigurisë së lartë në Fier po shoqërohet me debate, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka deklaruar se urdhri për këtë lëvizje është i klasifikuar si “sekret shtetëror”, pa bërë publike arsyet konkrete që çuan në këtë vendim. Lëvizja e kryebashkiakut të Tiranës erdhi vetëm dy ditë pasi ai doli publikisht në mbështetje të prote

Transferimi i Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në burgun e sigurisë së lartë në Fier po shoqërohet me debate, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka deklaruar se urdhri për këtë lëvizje është i klasifikuar si “sekret shtetëror”, pa bërë publike arsyet konkrete që çuan në këtë vendim. Lëvizja e kryebashkiakut të Tiranës erdhi vetëm dy ditë pasi ai doli publikisht në mbështetje të protestave studentore dhe përcolli një mesazh që u interpretua si kritikë ndaj kryeministrit Edi Rama.

Ky afrim në kohë mes deklaratës politike dhe transferimit ka ushqyer dyshimet për një prapavijë politike, ndërsa vetë Veliaj e cilësoi zhvendosjen si “transferim politik” dhe e krahasoi me një “rrëmbim policor”, edhe pse deri tani nuk ka prova që të konfirmojnë se vendimi është marrë për motive hakmarrjeje. Mesazhi që u lexua si sfidë ndaj Ramës Më 26 tetor, Veliaj reagoi në rrjetet sociale për protestat studentore, ku shkroi se lëvizjet e të rinjve nuk duhen parë si fundi i botës, por si fundi i një bote. Mesazhi u interpretua si një kritikë ndaj mënyrës se si politika po i përgjigjet revoltës së studentëve dhe si një thirrje për të kuptuar kërkesat e brezit të ri.

Vetëm dy ditë më vonë, ai u transferua nga burgu i Durrësit në atë të Fierit. Sipas raportimeve në media, deri në atë moment nuk ishte bërë publik ndonjë incident në burgun e Durrësit që të shpjegonte nevojën për këtë lëvizje. Përkrahësit e Veliajt dhe zërat kritikë ndaj qeverisë e kanë parë këtë kronologji si të dyshimtë mbi motivet e transferimit. Por pyetja që mbetet pa përgjigje është nëse vendimi lidhet me një vlerësim konkret të sigurisë, siç pretendon Drejtoria e Burgjeve, apo nëse ekzistojnë rrethana të tjera që nuk janë bërë publike. Megjithate, drejtoria e burgjeve e mban urdhrin të klasifikuar dhe nuk i shpjegon arsyet konkrete. Institucioni bëri të ditur se urdhri është miratuar sipas procedurave standarde, por është pjesë e listës së dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”.

"Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij", thuhet në njoftim. Nga ana tjetër, sot në media u publikua letra e Veliajt pas transferimit, i cili e ka kundërshtuar zhvendosjen nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.

Ai ka kërkuar sqarime për arsyet e vendimit, ndërsa rrethanat e transferimit dhe koha kur ai u krye kanë ushqyer pikëpyetje mbi motivet e autoriteteve. Letra e tij, e vendosur në kontekstin e mesazhit të fundit në mbështetje të studentëve dhe kritikave ndaj Edi Ramës, e ka shtuar debatin nëse bëhet fjalë vetëm për një masë administrative apo për një vendim që kërkon më shumë transparencë nga institucionet përgjegjëse. “Në një korridor me vrasës serialë” Pas takimit me klientin e tij në burgun e Fierit, mbrëmë vonë avokati Plarent Ndreca foli për kushtet e qëndrimit dhe ligjshmërinë e transferimit. Ai tha para derës së hekurt të burgut se Veliaj ishte vendosur në një ambient izolimi, në të njëjtin korridor me të dënuar me burgim të përjetshëm, mes tyre edhe persona që i cilësoi si vrasës serialë.

Ndreca deklaroi gjithashtu se nuk i ishte vënë në dispozicion një akt i shkruar që të argumentonte transferimin, se klientit të tij nuk i ishte mundësuar kontrolli mjekësor për problemet me këmbën dhe se kishte pasur kufizime në komunikimin me familjen dhe avokatin. Nga ana tjetër, Drejtoria e Burgjeve deklaroi se Veliaj ishte vendosur fillimisht në sektorin e observimit, se ishin dëgjuar pretendimet e tij dhe se më pas ishte sistemuar sipas vlerësimit individual, ndonese nuk dha hollësi të tjera publike për kushtet konkrete që kundërshtoi mbrojtja.

Pra, përplasja nuk lidhet vetëm me vendin ku po mbahet kryebashkiaku, por edhe me transparencën e procedurës, mundësinë për të kundërshtuar vendimin dhe garancitë për trajtimin e tij në paraburgim. Rastësi apo plan i menduar, kush i bashkoi Veliajn dhe Agasin në Fier?

29 Tetor, 16:37 “Jep dorëheqjen”-Përplasjet në PS

Debati për transferimin e Veliajt ka kaluar edhe brenda vetë Partisë Socialiste, pasi sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së deputeti Bledi Çuçi i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, të bëjë të disponueshëm dokumentacionin që lidhet me transferimin e Veliajt.

Sipas raportimeve nga mbledhja, Çuçi ka këmbëngulur për dokumentin zyrtar dhe i ka kërkuar Gogut të japë dorëheqjen nëse nuk e disponon urdhrin e transferimit. Kështu, deri tani, autoritetet e burgjeve kanë këmbëngulur se transferimi është kryer sipas procedurave dhe për arsye sigurie, por nuk kanë bërë publike arsyet konkrete që e justifikuan zhvendosjen e Veliajt pikërisht në këtë moment.

Por [pse duhet të klasifikohet si “sekret shtetëror” urdhri i transferimit?

Prandaj dhe në kë kushte, për sa kohë arsyet konkrete mbeten të panjohura për publikun, dyshimet për një motiv politik do të vazhdojnë të shoqërojnë transferimin e tij në burgun e Fierit. S.Gj-Politiko.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm