Protestuesit janë mbledhur edhe këtë të enjte para Kuvendit, në tubimin e 58-të kundër qeverisë Rama, të pajisur me domate, speca dhe vezë, të cilat i kanë cilësuar si "armët" e tyre simbolike të protestës. Sipas tyre, këto produkte do të përdoren për të shprehur pakënaqësinë ndaj deputetëve dhe ministrave gjatë mbërritjes së tyre në godinën e Parlamentit.
Qytetarët kanë deklaruar se synojnë t’i hedhin domatet, specat dhe vezët në drejtim të përfaqësuesve të mazhorancës, duke e cilësuar këtë si një formë simbolike reagimi ndaj qeverisë. Ndërkohë, në zonën përreth Kuvendit janë shtuar masat e sigurisë, me praninë e forcave të shumta të policisë.
Gjatë grumbullimit, protestuesit kanë brohoritur në kor: "Edi Rama i pabesë, ti me gaz e ne me vezë", duke iu referuar përdorimit të gazit lotsjellës dhe ujit me piper nga policia gjatë protestës së kaluar. Tubimi po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa pritet mbërritja e deputetëve për seancën plenare.

