Protestuesit që iu bashkuan tubimit pranë Kuvendit kanë kundërshtuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se nuk pranon dialogun. “Edi Rama kërkon dialog? Dialog është vetëm një fjalë për të tjerët. Në realitet, Edi Rama nuk pranon dialogun, ai bën vetëm monolog!”, shkruhej në një prej pankartave. Në nisje të protestës para Politeknikut, pjesëmarrësit mbanin mesazhe në mbështetje të studentëve, si “Studentët nuk janë vetëm”, “Jemi me studentët” dhe “Mos prekni studentët”.
Policia ka vendosur kordone pranë Xhamisë së Namazgjasë, duke penguar kalimin e grupit të pedagogëve drejt Parlamentit. Për shkak të bllokimit, pedagogët ndryshuan itinerar, duke kaluar përmes bulevardit dhe Bashkisë së Tiranës për t’iu bashkuar protestuesve pranë Kuvendit. Gjatë protestës u regjistrua edhe një incident, ku një protestuese goditi me shuplakë një efektiv policie. Ndërkohë, një tjetër kordon policor u vendos mes ish-selisë së Partisë Demokratike dhe qendrës tregtare, në rrugën që të çon drejt Kalasë së Tiranës.
Një përfaqësuese e grupit të pedagogëve kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të besueshme. “E përsërisim: dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie kujdestare me mandat të qartë dhe garanci institucionale për të përgatitur zgjedhje të lira e të besueshme”, deklaroi ajo. Një ditë më parë, grupi i pedagogëve kishte njoftuar bojkotimin e mësimdhënies në universitetet publike deri në një njoftim të dytë.

