Protestuesit e thirrur nga Partia Demokratike janë grumbulluar para Kryeministrisë. Ata marshuan nga selia blu, të prirë nga deputetët Flamur Noka, Agron Gjekmarka etj., dhe u zhvendosën para godinës së qeverisë aty ku siç ishte lajmëruar do të zhvillojnë për të tretën të shtunë me radhë protestën kundër qeverisë. Ndërkohë në orën 14:00 pritet të nisë protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit, ku pritet të marrin pjesë të rinj nga qytete të ndryshme të vendit. Protestuesit u kanë bërë thirrje qytetarëve, pedagogëve dhe të gjithë të interesuarve që t’u bashkohen, ndërsa vijojnë të kundërshtojnë ofertën e kryeministrit Edi Rama për dialog. Kreu i qeverisë ka publikuar edhe një platformë online, përmes së cilës synon të komunikojë me studentët. Të rinjtë kanë kërkuar gjithashtu që qytetarët të mos ndikohen nga paralajmërimet për gjoba apo masa policore ndaj pjesëmarrësve në tubime. Në mbështetje të studentëve janë shprehur edhe pedagogë, të cilët kanë bërë publike solidaritetin e tyre me kërkesat e protestuesve.
