Situata jashtë Parlamentit mbetet tejet e tensionuar, ndërsa protesta po përhapet në disa pika strategjike për të bllokuar akset rrugore. Përballë tentativave të vazhdueshme të Policisë së Shtetit për të zhbllokuar rrugët, protestuesit kanë ndryshuar taktikë duke u ndarë në disa akse të ndryshme rrugore, me qëllim paralizimin e qarkullimit. Fokus kryesor i përplasjeve është zhvendosur në Bulevardin “Jean D’Arc”, ku dhjetëra zonja të ndryshme po bëjnë rezistencë të fortë, duke u ulur në rrugë. Ato refuzojnë kategorikisht të largohen nga rruga, ndërsa policia po tenton me forcë t’i zhvendosë për të mbajtur segmentin të hapur. Në shenjë revolte, shumë prej protestuesve janë ulur në tokë në mes të rrugës, ndërsa nga turma janë hedhur sërish vezë në drejtim të efektivëve të policisë.
