Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore për të zbardhur rrethanat e plagosjes së protestuesit Erjon Vishkulli, i cili u godit me plumb gome në sy gjatë protestave në kryeqytet. Gazetarja e News24, Klodiana Lala, raporton se hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën pranë Bankës së Shqipërisë, ku ndodhi incidenti, me qëllim identifikimin e rrethanave të plagosjes dhe të personit që mund të ketë qëlluar. Gjithashtu, është kryer këqyrja e vendngjarjes dhe janë sekuestruar gëzhoja të municioneve me plumba gome, të cilat pritet të shërbejnë si prova materiale në hetim. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, hetuesit po kryejnë këqyrjen e armatimit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), për të verifikuar armët dhe municionet e përdorura gjatë ndërhyrjes policore. Në kuadër të hetimeve, Prokuroria ka sekuestruar edhe kartelën mjekësore të protestuesit në Spitalin e Traumës në Tiranë. Paralelisht, është nisur një letërporosi drejt autoriteteve italiane për sigurimin e dokumentacionit mjekësor të Vishkullit, i cili po merr trajtim në Itali. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu që, në momentin kur plumbi i gomës të hiqet nga syri i të plagosurit, ai të vihet në dispozicion të hetuesve si provë materiale. Veprimet hetimore synojnë të përcaktojnë mënyrën se si është plagosur protestuesi, armën nga e cila është qëlluar dhe përgjegjësinë e mundshme të efektivëve të përfshirë në ndërhyrjen policore. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Prokuroria e Tiranes

