Banorët e Fushë-Arrëzit u ngritën në protestë kundër hartës së re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz dhe bashkimin e saj me Bashkinë Pukë. Në mbështetje të qytetarëve dolën edhe bashkëkryetari opozitar i Komisionit të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, deputeti Gjin Gjoni dhe kryebashkiaku demokrat i Fushë-Arrëzit, Hil Curri.
Curri deklaroi se komuniteti nuk do të lejojë shkrirjen e bashkisë dhe se do ta kundërshtojë draftin me çdo kusht. Ai akuzoi qeverinë se nuk ka zhvilluar dëgjesa publike me banorët e Fushë-Arrëzit, duke theksuar se “nuk mund të bëjë çfarë të dojë shteti me ne”. Në protestë morën pjesë edhe kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi, kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj, si dhe ish-kandidati i PS-së për deputet në këtë zonë, Pavlin Luli.
Banorët mblodhën firma për një peticion kundër draftit të ri territorial dhe paralajmëruan protesta të tjera në ditët në vijim. Sipas propozimit të PS-së, Bashkia Fushë-Arrëz, me rreth 4,878 banorë, do të bashkohej me Bashkinë Pukë, e cila sipas Censusit numëron 6,222 banorë.

