Lajme Zone
Protestat/ Zef Brozi: Uluni në dialog, edhe Azem Hajdari u takua me Ramiz Alinë, pushteti s’merret me dhunë! Ndahuni nga elementët terroristë, Berisha vrasës dhe zjarrvënës i Shqipërisë
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Protestat/ Zef Brozi: Uluni në dialog, edhe Azem Hajdari u takua me Ramiz Alinë, pushteti s’merret me dhunë! Ndahuni nga elementët terroristë, Berisha vrasës dhe zjarrvënës i Shqipërisë

Zef Brozi hodhi akuza të rënda ndaj SPAK, teksa tha se disa prokurorë të posaçëm janë kthyer në 'bunker' për mbrojtjen e Sali Berishës. Ai kërkoi që të mos barazohen Sali Berisha me Edi Ramën, pasi sipas tij, kryedemokrati është kriminel dhe vrasës. Brozi dënoi dhunën gjatë këtyre ditëve në protesta dhe bëri thirrje për dialog mes palëve.

Zef Brozi, ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit në Shqipëri, u ka bërë thirrje protestuesve në Shqipëri që të ndalin aktet e dhunës dhe të hyjnë në dialog. Në një lidhje live nga Uashingtoni për Report Tv, me gazetarin Nertil Agalliu, Brozi tha se është koha që të gjitha palët të ftohin gjakrat. Ai paralajmëroi protestuesit se nuk mund ta marrin dot pushtetin me dhunë, pasi do të hasin në një reagim të fortë nga partnerët ndërkombëtarë. LEXO edhe...Protestuesit i vunë zjarrin, Gjykata e Lartë: Shtyhen seancat gjyqësore, do të kryhen vetëm ato urgjente! Janë djegur edhe dosje, do të verifikojmë dëmet “Ndaloni dhunën, ndaloni djegiet, shkatërrimet, dëmtimet e pronës private, të institucioneve, të pronës publike. Dhuna s’ju dërgon asgjëkundi. Me dhunë nuk merret pushteti. Edhe sikur ta merrni sot, por veshi do të tërhiqet nga perëndimi, akoma pa u ulur në karrigen e kryeministrit. Më vjen mirë që pedagogët janë pjesë e protestës, edhe pse protesta është e dhunshme. U bëj thirrje edhe pedagogëve që të përçojnë me zërin e tyre frymën e dialogut. Është koha që të gjitha palët të ftohin gjakrat. Edhe kryeministri, edhe mazhoranca, edhe protestuesit, por edhe opozita”, tha mes të tjerash Brozi. Një thirrje Brozi e kishte edhe për kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë socialiste, të cilëve u tha se protestuesit duhet të dëgjohen me respekt e maturi, jo me fyerje e sharje. Teksa i bëri thirrje studentëve që të distancohen nga personat e dhunshëm në protestë, Brozhi tha se në tubime mund të ketë edhe elementë terroristë e ekstremistë. “Unë jam që protestuesit të dëgjohen me respekt, me maturi, jo me fyerje e sharje. Protestuesit të distancohen nga elementë ekstremistë, terroristë që mund të ketë. Ata mund të mos jenë fare studentë. Unë mendoj se studentët janë pjesa më e avancuar e brezit të ri në fushën e dijes, intelektualizmit. Një njeri me mend nuk qëllon as gjykatat dhe as institucionet. I bëj thirrje edhe kryeministrit Rama që ta dëgjojë me respekt edhe protestuesin”, shtoi Brozi. Duke e vënë theksin te dialogu, Brozi kujtoi se në protestat e vitit 1990, Azem Hajdari që ishte lideri i këtyre tubimeve zhvilloi takim me Presidentin e kohës, Ramiz Alinë. Brozi foli gjithashtu edhe për rolin e kryedemokratit Sali Berisha gjatë këtyre viteve në poltikë, të cilin e akuzoi si zjarrvënës të vendit. Sipas Brozit, Berisha gjithmonë ka përfituar nga zjarrvënia dhe gjakderdhja në Shqipëri. Ai shtoi se SPAK është një ‘bunker’ për mbrojtjen e Sali Berishës. Duke përmendur Gërdecin, 21 Janarin, ngjarjet e vitit 1997 dhe lobimin 6 milionë dollarë në SHBA, Brozi i bëri thirrje SPAK të hetojë Sali Berishën, teksa theksoi se kryedemokrati vijon të mbetet non grata në Shtetet e Bashkuara. “Pashë që kishte nxjerrë disa karrige aty para Kryeministrisë. Më erdhi keq që u dogjën karrige aq të mira. Mund të kishte nxjerrë disa karrige plastike, që dëmi të mos ishte aq i madh. Azem Hajdari takoi Ramiz Alinë në kulmin e protestave studentore. Për riparimin e këtyre dëmeve, paraja do të shkojë atje ku ka shkuar, te bizneset e Sali Berishës dhe të pushtetit në fuqi. Ju nuk fitoni gjë me shkatërrimin e bizneseve, përkundrazi. Uluni në dialog. Roli i Sali Berishës ka qenë, mbetet dhe është zjarrvënës i Shqipërisë. Ai gjithmonë ka përfituar nga djegia e përgjakja e Shqipërisë. Ka përfituar sepse ne nuk kemi drejtësi. Sepse edhe kur Gjykata e Lartë e detyroi SPAK që të hetojë 21 janarin, SPAK është sot bunker i fuqishëm për mbrojtjen e Sali Berishës. Protestuesit me djegien e gjykatave do zvarrisin akoma shqyrtimin e dosjeve që janë në këto gjykata. Protestues, nga dhuna humbni simpatinë e botës. Prandaj miqësisht ju bëj thirrje ‘ndaloni dhunën dhe protestoni në mënyrë paqësore’. I bëj thirrje SPAK se ku i mori Sala 6 milionë dollarët që pagoi për lobimin në SHBA. SPAK as paratë e Sali Berishës nuk po i heton. Ato prokurorë që mbrojnë sot Berishën në SPAK, urojmë që të mos i shohim më në SPAK. Ata mbrojnë një vrasës. Non grata nuk i është hequr Sali Berishës dhe as atyre të tjerëve”, theksoi Brozi. Një këshillë Brozi e kishte edhe për kryeministrin Edi Rama, për të cilin tha se duhet t’i kishte dëgjuar disa nga kërkesat e qytetarëve që protestuan paqësisht për disa muaj në shesh. Brozi tha se kryeministri Rama mund t’i kishte hapur rrugën një kodi të ri zgjedhor, referendumit, zgjedhjes së Presidentit nga populli dhe kufizimin të mandatit të kryeministrit. Por sipas Brozit, nuk duhet të barazohet kurrë Sali Berisha, që sipas tij është vrasës, me Edi Ramën, që sipas tij ka bërë disa punë të mira për Shqipërinë. “Do të ishte shumë mirë nëse SHBA-të do të bëheshin ndërmjetësit, por ne shqiptarët duhet të mësohemi që edhe në situatat më të vështira t’i zgjidhim vetë problemet. Kur filluan protestat paqësore, Rama mund të ishte ulur në dialog dhe të merrte disa masa për kërkesat e tyre, si ndryshimi i kodit zgjedhor, që deputetët të zgjidheshin drejtpërdrejtë nga populli. T’i hapej rruga referendumit. Presidenti të zgjidhej nga populli dhe mandati i kryeministrit të kufizohej në vetëm 2 mandate. Dorëheqja është një akt politik që Rama vetë duhet ta marrë. Por protestuesit të mos harrojnë që kanë vënë Ramën dhe Berishën në një balancë. Berisha është sot i lirë, edhe pse ka vrarë. Rama ka bërë edhe gjëra shumë të mira për Shqipërinë, siç ka bërë edhe gabime jo të vogla”, përfi Brozi. R.Xh/ReportTv.al edi rama Dhune protestat kunder qeverise proteste Zef Brozi azem hajdari ramiz alia sali berisha Komento Komente Sondazhi i ditës: A i mbështesni protestat e dhunshme në vend? Po 18.9% Jo 77.8% Disi 3.4% Vota total: 8357 Sondazhi i ditës: A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?