Një grup koordinatorësh të protestave dhe anëtarë të diasporës shqiptare në Austri zhvilluan sot një sërë takimesh në institucionet më të larta të shtetit austriak, me një mesazh të qartë: studentët dhe të rinjtë që protestojnë në Tiranë nuk janë vetëm. Delegacioni u takua ballë për ballë me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker, të cilit i dorëzoi personalisht letrën zyrtare të diasporës dhe i paraqiti drejtpërdrejt shqetësimet për situatën në Shqipëri.
Në Parlamentin austriak, delegacioni bashkëbisedoi me përfaqësues të katër partive: ÖVP, SPÖ, NEOS dhe të Gjelbrit (Grüne). U shkëmbyen kontakte me përfaqësuesit e NEOS-it, ÖVP-së dhe SPÖ-së për të vazhduar komunikimin.
Njëkohësisht, letra iu dorëzua edhe sekretarit të Presidentit Federal të Austrisë, i cili siguroi se do t’ia përcjellë atë drejtpërdrejt Presidentit.
Çfarë kërkon diaspora
Në letrën drejtuar Kancelarit Christian Stocker, qeverisë dhe deputetëve, diaspora shpreh shqetësim të thellë për raportimet mbi përdorim joproporcional të forcës ndaj protestuesve, ndërhyrje nga persona pa shenja dalluese të policisë, shkelje të të drejtave të të ndaluarve, sulme ndaj pikave të ndihmës së parë, si dhe kërcënime publike ndaj studentëve dhe familjeve të tyre. Letrës i bashkëngjitet një dosje prej 146 faqesh me raporte, video dhe burime, e përgatitur nga avokatja Dea Nini.
Diaspora u kërkon institucioneve austriake:
– një interpelancë parlamentare në Kuvendin e Austrisë për dhunën ndaj protestuesve;
– që Ministria e Jashtme ta ngrejë çështjen dhe të kërkojë qëndrim zyrtar nga autoritetet shqiptare;
– që Austria të jetë zë në Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian, në mënyrë që respektimi i të drejtave të njeriut të ketë peshë në negociatat e anëtarësimit;
– monitorim të pavarur të proceseve gjyqësore ndaj studentëve dhe të miturve. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

