Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj dhunës së pretenduar policore gjatë protestave studentore, duke akuzuar Prokurorinë e Tiranës se nuk ka ndërmarrë masa ndaj efektivëve dhe drejtuesve të policisë që, sipas tij, janë përfshirë në dhunimin e protestuesve. Përmes një postimi në Facebook, Këlliçi deklaron se kanë kaluar gati dy javë nga nisja e protestave dhe se ende nuk është ndaluar asnjë efektiv apo drejtues policie, pavarësisht pamjeve dhe dëshmive të publikuara për dhunën ndaj të rinjve. Sipas deputetit demokrat, gjatë kësaj periudhe janë shoqëruar dhe arrestuar rreth 1 mijë të rinj, mes tyre 250 të mitur, ndërsa dhjetëra persona kanë mbetur të plagosur. Postimi i plotë i Belind Këlliçit: Po bëhen 2 javë nga nisja e valës së terrorit policor ndaj studentëve, të rinjve dhe gjimnazistëve, dhe ende Prokuroria e Tiranës nuk ka ndaluar asnjë polic, asnjë shef apo epror të përfshirë direkt ose duke dhënë urdhra në dhunën brutale që shkaktoi dhjetëra të plagosur.
Në dy javë, banditët me dhe pa uniformë, shoqëruan dhe arrestuan 1000 të rinj, mes tyre 250 të mitur, në një aksion çnjerëzor vetëm e vetëm për të ruajtur karrigen e Edi Ramës.
Para kësaj skene të madhe krimi, nuk kemi ende asnjë të ndaluar nga policia, megjithëse provat dhe dëshmitë janë parë nga gjithë shqiptarët.
Edhe sa kohë i duhet prokurorit të Tiranës, Arenc Çela, që të bëjë detyrën për të cilën paguhet?! © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

