Avokati Agred Tafaj, ka bërë një analizë të situatës politike në Shqipëri dhe valës së protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, lëvizja e fundit qytetare ka dhënë një goditje të fortë ndaj strukturave të pushtetit. Duke vlerësuar peshën e protestave, Tafaj theksoi se vendi po kalon një krizë të rëndë të mungesës së dëgjimit të zërit të qytetarëve, të cilët janë lënë jashtë çdo procesi vendimmarrës: “Protesta ka tronditur themelet e Partisë Socialiste. Ajo që shoh është kriza e përfaqësimit. Kemi njerëz që vendosin dhe qytetarët nuk pyeten ndonjëherë,” u shpreh ai, duke u ndalur te arsyet pse banorët e bashkive që rrezikojnë të shkrihen kanë dalë në sheshe për të mbrojtur të drejtat e tyre. Avokati u ndal gjerësisht te pasojat praktike të reformës së re territoriale, duke ngritur shqetësimin se shkrirja e bashkive do t’ua vështirësojë jashtëzakonisht jetën qytetarëve të zonave rurale dhe periferike, të cilët do të duhet të udhëtojnë kilometra të tëra për shërbimet më elementare.
“Pse u çuan qytetarët e bashkive që do të shkrihen në protestë? Nëse shkrihen 15 bashki, këta njerëz ku do të shkojnë, ku do t’i marrin dokumentet? Nëse më parë bënin 10 kilometra, tani duhet të bëjnë 20, 25 kilometra. Ku do të shkojnë? Nuk kanë të gjithë mundësi, sa kohë do u duhet të marrin shërbimet? Këta nuk kanë arritur t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve,” theksoi Tafaj. Në përfundim, ai e cilësoi këtë qasje administrative jo thjesht si një lëvizje burokratike, por si një strategji që nxit shpopullimin e vendit dhe përqendrimin e kontrollit në pak duar: “Shoh edhe një pikë tjetër, që kjo duket si një politikë shpopulluese. Njerëzit kanë një histori në këto zona. Në vend që të decentralizojmë Shqipërinë po e centralizojmë, pushteti po mbetet në pak duar dhe sa më pak njerëz kanë më shumë kontroll.” © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
