Kombet e Bashkuara në Shqipëri kanë reaguar për protestat në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për aktet e dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve. Në deklaratën e saj, OKB-ja u bën thirrje të gjitha palëve të shmangin dhunën dhe të angazhohen në dialog, ndërsa vë theksin te respektimi i të drejtave themelore dhe proporcionaliteti në veprimet e forcave të rendit. Në reagimin e saj, organizata nënvizon rëndësinë e garantimit të së drejtës për tubim paqësor, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe dinjitetit të çdo personi. OKB-ja thekson gjithashtu se veprimet e forcave të rendit duhet të karakterizohen nga vetëpërmbajtja dhe proporcionaliteti, duke kërkuar respektimin e garancive për një proces të rregullt ligjor. Një tjetër pikë e deklaratës lidhet me mbrojtjen e pronës publike dhe private, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Në përfundim, Kombet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha palëve të përfshira në protestat në Tiranë që të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv, të mbështetur te respekti i ndërsjellë, paqja dhe shteti i së drejtës. Deklarata e plotë e OKB-së: “Kombet e Bashkuara në Shqipëri shprehin shqetësimin për aktet e fundit të dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave në Tiranë. Rikonfirmojmë rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të tubimit paqësor, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit, si dhe të garantimit të sigurisë dhe dinjitetit të të gjithëve, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Theksojmë rëndësinë e vetëpërmbajtjes dhe proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit, respektimit të garancive për një proces të rregullt ligjor dhe mbrojtjes së pronës publike dhe private, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira të përmbahen nga dhuna, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të angazhimit të përbashkët për paqen dhe shtetin e së drejtës”.
