Deri në 500 shkolla në të gjithë Francën u mbyllën pjesërisht ose plotësisht të hënën, pas përplasjeve të ditëve të fundit mes policisë dhe nxënësve protestues, bëri të ditur të dielën ministri francez i Arsimit. Mësimi do të “pezullohet plotësisht ose pjesërisht” pasi nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme të sigurisë, deklaroi ministri Edouard Geffray. Ai bëri të ditur gjithashtu se 24 shkolla janë “djegur ose plaçkitur” që prej nisjes së protestave. Mijëra nxënës kanë dalë në protesta për kushtet në sistemin arsimor. Demonstratat, të cilat nisën javën e kaluar, janë përhapur nga Parisi edhe në qytete të tjera, përfshirë Montpellier, Nantes dhe Marseille. LEXO edhe...Franca përgatitet për protesta të reja nga gjimnazistët, pritet të mbyllen 500 shkolla Nxënësit e shkollave të mesme dhe protestues të tjerë kundërshtojnë mungesën e mësuesve, klasat e mbipopulluara dhe godinat e amortizuara të shkollave. Të premten, ministri francez i Drejtësisë, Gérald Darmanin, deklaroi se 735 nga 3.700 shkollat e Francës ishin prekur “në një mënyrë apo një tjetër” nga protestat e dhunshme. Ministri i Arsimit paralajmëroi se numri i shkollave që mund të preken të hënën mund të jetë i krahasueshëm me atë të së premtes, por premtoi një “rikthim të pjesshëm dhe gradual të mësimit”. “Ka aktivistë, veçanërisht nga e majta ekstreme, të cilët janë infiltruar në lëvizjen e nxënësve të shkollave të mesme, ua kanë marrë protestën nga duart vetë nxënësve dhe janë përfshirë në akte dhune ekstreme”, pretendoi Édouard Geffray. “Është e qartë se kjo përbën rrezik si për stafin tonë, ashtu edhe për nxënësit”, tha ai. Geffray shtoi se 78 punonjës të arsimit janë plagosur, një situatë që ai e përshkroi si “diçka që nuk e kemi parë kurrë më parë”. Të premten, 1.747 persona u arrestuan, sipas ministrit francez të Brendshëm, Laurent Nuñez. Në total, që nga fillimi i lëvizjes së protestave janë arrestuar më shumë se 5.000 persona, sipas agjencisë së lajmeve AFP, ndërsa rreth 85% e tyre janë të mitur. Organizatorët e protestave kanë bërë thirrje që demonstratat të vazhdojnë edhe të martën, pasi kanë akuzuar qeverinë se nuk ka ndërmarrë “masa konkrete”, raporton AFP. Të dielën, kryeministri francez Sebastien Lecornu deklaroi se qeveria e tij po ndërmerr hapa të mëtejshëm për të “adresuar vështirësitë me të cilat përballen nxënësit e shkollave të mesme dhe personeli arsimor”. Sipas tij, masat përfshijnë garantimin e vazhdimësisë së mësimit, përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës në shkolla, organizimin më të mirë të ditës mësimore, si dhe rritjen e transparencës së platformës franceze të pranimeve në universitete. Lecornu bëri të ditur gjithashtu se qeveria po përshpejton shqyrtimin e projektligjit të ashtuquajtur “vandal-pays”, që parashikon që personat përgjegjës për dëmet e shkaktuara të mbulojnë vetë kostot e veprimeve të tyre. SI.E./ReportTv.al Sebastien Lecornu Edouard Geffray proteste france Komento Komente Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private? Po 71.3% Jo 21% Nuk e di 7.7% Vota total: 1817 Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private?
