Aktivisti dhe biznesmeni shqiptaro-britanik Zenel Hoxha ka komentuar situatën politike në Shqipëri dhe protestat studentore që po zhvillohen kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” me Ola Brukon në News24, Hoxha deklaroi se lëvizja e studentëve i ka dhënë një tjetër dimension revoltës qytetare, pikërisht në momentin kur shumëkush mendonte se protestat po shuheshin. Sipas tij, reagimi i të rinjve përbën një kambanë alarmi për kryeministrin, i cili duhet të kishte dëgjuar që në fillim shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve. Hoxha kritikoi qëndrimin e Ramës, duke theksuar se pakënaqësitë e shprehura në protesta janë grumbulluar ndër vite dhe kërkojnë përgjigje konkrete. Biznesmeni shqiptaro-britanik u ndal edhe tek ardhja e Ramës në pushtet, duke kujtuar se ai mori mbështetje të gjerë për shkak të premtimeve për një Shqipëri më demokratike dhe më pranë Evropës. Megjithatë, sipas Hoxhës, kryeministri nuk i ndoqi këshillat e ndërkombëtarëve pasi mori drejtimin e vendit, ndërsa qeverisja e tij u karakterizua nga përqendrimi i pushtetit dhe politika e fasadës. Hoxha e cilësoi situatën aktuale në Shqipëri si autokraci, ndërsa vlerësoi kurajën e studentëve për t’u përballur me qeverinë. Ai theksoi se protestat nuk duhet të shihen si fundi i një procesi, por si fillimi i një etape të re për vendin. “Kur të gjithë menduan që protesta po shuhej, erdhi uragani studentor.
Protesta është kambanë alarmi që duhet të dëgjohej nga kryeministri, i cili nuk ka reaguar në mënyrë dinjitoze që nga dita e parë.
Duhet të dëgjonte protestuesit dhe kërkesat e tyre të akumuluara në vite.
Rama erdhi me program ambicioz. Shumë e mbështetën për një Shqipëri demokratike, më afër Evropës. I dëgjoi këshillat e ndërkombëtarëve, por derisa erdhi në pushtet, i harroi ato.
Nuk kishte progres, por përqendrim të pushtetit dhe harresë të shqiptarëve, duke u bazuar te fasada.
Çdo gjë ka një fund, por ky nuk është një fund, por një fillim i ri që do t’i ndodhë Shqipërisë nga kuraja e studentëve.
Shqipëria tani, fatkeqësisht, është në autokraci. Protesta shërbeu si alarm për të bashkuar shqiptarët”, u shpreh mes të tjerash ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
