Policia e Korçës ka bërë me dije se pas protestës së ditës së djeshme janë arrestuar dy të rinj, përkatësisht F. L., 21 vjeç, banues në Voskop dhe O. K., 19 vjeç, banues në Bilisht.
Policia e Korçës po ashtu ka proceduar penalisht 23 persona të tjerë 15 prej tyre të mitur. “Kundërshtuan punonjësit e Policisë, shkatërruan me sende të forta dhe me zjarr, godinat e institucioneve shtetërore dhe prona publike, gjatë tubimit të djeshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohen penalisht 23 të tjerë. Gjatë tubimit të zhvilluar dje, në qytetin e Korçës, dhjetëra pjesëmarrës, disa prej tyre të maskuar, kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur gurë, pllaka guri dhe sende të forta metalike drejt institucioneve shtetërore dhe pronave publike. Si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme, janë dëmtuar godinat e bashkisë Korçë, Drejtorisë Arsimore, universitetit "Fan. S. Noli" dhe gjimnazit "Raqi Qirinxhi", si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar me shërbim janë përballur me akte dhune dhe kundërshtimi, përmes hedhjes së gurëve dhe sendeve të forta nga grupe pjesëmarrësish të maskuar. Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. L., 21 vjeç, banues në Voskop dhe O. K., 19 vjeç, banues në Bilisht, si dhe u proceduan penalisht 23 shtetas (15 prej tyre të mitur). Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 15.10.2026 dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, gjatë kësaj date.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

