Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri se gjatë ditës së sotme kanë marrë ndihmë mjekësore protestues, efektivë policie, përfaqësues të medias dhe kalimtarë. Sipas MSH, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultave me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës. Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias. Pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, ato janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën. Gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor, bën me dije Ministria e Shëndetësisë. Të gjashtë efektivët janë larguar nga spitali me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën. Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë të cilët kanë qenë në zonën ku u zhvillua protesta. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa personi tjetër po mbahet në monitorim nga mjekët.
