Qytetarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë do të zhvillojnë sot protestën e tyre të 61-të, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimi do të nisë në sheshin “Skënderbej”, prej nga protestuesit do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe të përsëriten kërkesat e tyre. Protesta, e cila nisi si reagim ndaj situatës në Zvërnec, është shndërruar në një lëvizje me fokus kërkesën për ndryshim politik dhe institucional.
Sipas organizatorëve, në protestë marrin pjesë qytetarë të grupmoshave dhe profesioneve të ndryshme, përfshirë studentë, aktivistë, pensionistë, profesionistë dhe familje. Gjatë marshimeve të mëparshme janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe janë shpalosur pankarta e flamuj kombëtarë. Protestuesit kanë ndaluar edhe pranë institucioneve shtetërore, përfshirë Parlamentin, ku kanë përcjellë mesazhe drejtuar përfaqësuesve politikë.
Në qendër të protestës mbeten pesë kërkesa kryesore: dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore përmes referendumit, shfuqizimi i disa ndryshimeve ligjore që lidhen me zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, Paketën e Maleve dhe investimet strategjike, si edhe hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit në bashkëpunim me ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

