Policia ka blinduar zonën pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë, pak para nisjes së protestës së studentëve, e cila është thirrur të zhvillohet në orën 14:00. Forca të shumta policie janë vendosur në terren, duke rrethuar institucionin dhe duke shtuar masat e sigurisë përpara tubimit.
Përveç pranisë së shtuar të efektivëve, në zonë është pozicionuar edhe autoboti me ujë, i cili ndodhet në gatishmëri. Masat e marra nga policia vijnë në një kohë kur pritet që studentët dhe të rinjtë të mblidhen për të protestuar kundër problematikave që prekin arsimin dhe rininë në vend.
Organizatorët u kanë bërë thirrje studentëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, si dhe qytetarëve të tjerë, t'i bashkohen protestës për të ngritur zërin dhe për të kërkuar zgjidhje për shqetësimet e tyre. Mbetet për t'u parë se sa do të jetë pjesëmarrja në tubim dhe si do të vijojë protesta nën praninë e shtuar të forcave të rendit.

