Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka reaguar pas tri ditësh protestash të studentëve dhe gjimnazistëve, duke u bërë thirrje prindërve, mësuesve dhe komunitetit që të bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë e të rinjve dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Në një mesazh drejtuar prindërve, nxënësve dhe studentëve, Kumbaro u shpreh se të rinjtë duhet të kenë mundësi të shprehin pakënaqësitë e tyre, por përmes dialogut dhe jo akteve të dhunës. “Nuk janë studentët, nuk janë nxënësit ata që shkatërrojnë”, deklaroi ministrja, duke iu referuar dëmeve të shkaktuara gjatë protestave në pronat publike dhe bizneset private. Ajo u bëri thirrje prindërve që të tregojnë kujdes për fëmijët e tyre dhe të mos lejojnë, sipas saj, që ata të përfshihen në situata kaotike. “Si ministre e Arsimit, por edhe si nënë, ndërkohë që duart e errëta hedhin tymin e errët të shashkave të shkatërrimit, qoftë në pronat publike apo në bizneset private, nuk duhet të gjithë bashkë të lejojmë që fëmijët tanë të jenë viktima të kësaj tymnaje”, u shpreh Kumbaro. Ministrja pretendoi se një pjesë e nxënësve janë larguar nga protestat me ndërhyrjen e prindërve, të cilët, sipas saj, kanë kërkuar t’i mbrojnë nga përplasjet. Kumbaro theksoi se mësimi vijon normalisht në shumë shkolla, ndërsa bëri me dije se Ministria e Arsimit është në komunikim me universitetet. Ajo u ndal edhe te e drejta e të rinjve për të protestuar, duke e cilësuar atë si legjitime, por duke kërkuar që pakënaqësitë të shprehen përmes komunikimit. “T’i dëgjojmë ata, t’u japim mundësinë të flasin jo përmes shkatërrimit, por përmes komunikimit, ju si prindër edhe ne si arsimtarë”, deklaroi ministrja. Në përfundim, Kumbaro iu drejtua edhe mediave, shoqërisë civile dhe komuniteteve, duke kërkuar bashkëpunim për të shmangur, sipas saj, përdorimin e të rinjve për qëllime destabilizuese. “Ju lutem, në radhë të parë si prindër, por edhe si qytetarë të këtij vendi, të mos lejojmë që fëmijët tanë të përdoren për qëllime të errëta të duarve të liga që kërkojnë destabilizimin e Shqipërisë”, përfi ajo.
