Studenti dhe aktivisti Kleidi Memo ka ngritur shqetësimin mbi rritjen e papërballueshme të kostove të jetesës për të rinjtë në kryeqytet, duke e lidhur drejtpërdrejt shtrenjtimin e qirave me ecurinë e sektorit të ndërtimit. Sipas Memos, qiraja mbetet barra më e rëndë financiare për studentët dhe të rinjtë që jetojnë në Tiranë. Përveç strehimit, faturat mujore rëndohen ndjeshëm nga çmimet e larta të ushqimeve, tarifat universitare, shërbimet e internetit dhe argëtimit, si dhe rritja e shpenzimeve për ngrohje gjatë stinës së dimrit. Aktivisti nënvisoi se lidhja mes kostove të larta dhe valës së ndërtimeve përbën një zinxhir të qartë shkakësor dhe një paradoks shqetësues për ekonominë. “Ndërtimet vijojnë edhe pse popullsia po bie, duke prodhuar një paradoks të qartë. Prodhimi i madh i banesave po drejtohet nga kapitali investues dhe jo nga nevoja reale për strehim, pra për të pastruar paratë,” u shpreh ai, duke shtuar se ekziston një hendek i madh mes rritjes së kostoje reale të ndërtimit dhe çmimeve përfundimtare në treg. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
