Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, sfera dhe vida metalike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash; arrestohen 6 shtetas, procedohen penalisht 3 të tjerë dhe shpallen në kërkim 2. Sekuestrohen bomba molotov.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
A. Sh., 26 vjeç, L. K., 18 vjeç, F. Ç., 38 vjeç, K. R., 35 vjeç (shtetas i huaj), si dhe 2 shtetas të mitur.
Gjithashtu, u proceduan penalisht 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë. Gjatë kontrolleve, shtetasve L. K. dhe A. Sh. iu gjetën dhe iu sekuestruan bomba molotov.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

