Qytetarët e Poliçanit e kanë pritur me protestë propozimin e PS për Reformën Territoriale. Me pankarta në duar, ku shkruhej: “Poliçani nuk preket”, “Mos na vrisni të ardhmen”, “Harram i paçi votat e Poliçanit”, “Deputetë dele, mos e votoni reformën” etj, banorët e Poliçanit janë mbledhur në sheshin përpara kinemasë së qytetit, duke protestuar.
Banorët kërkuan që ky qytet të mos preket, pasi është në lojë e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të tyre. Kryetari i Partisë Socialiste të Poliçanit, Erjon Zylyftari ka dhënë në shesh dorëheqjen nga Partia Socialiste, duke deklaruar se kjo që po bën qeveria me Poliçanin është një padrejtësi.
Në shenjë indinjate për këtë veprim, qytetarët e Poliçanit kanë djegur në shesh teserat e Partisë Socialiste. Gjatë protestës,banorët kanë firmosur të gjithë peticionin për të mos prekur bashkinë e Poliçanit. Top Channel

