Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet ndaj kompanisë “AlbChrome”, pas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), i cili ka evidentuar problematika serioze të ndotjes mjedisore në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik. Sipas raportit, mbetje të krijuara nga proceset industriale, të përftuara nga pluhurat e kapëseve, janë grumbulluar prej vitesh dhe janë depozituar në mjedis të hapur, pa masa të përshtatshme sigurie dhe pa respektuar standardet mjedisore.
AKM ngre shqetësime për rrezikun që këto mbetje paraqesin për shëndetin e banorëve dhe mjedisin përreth, duke i cilësuar ato si mbetje me rrezikshmëri shumë të lartë. Në raport theksohet se përbërja e tyre përmban elementë potencialisht kancerogjenë, çka shton shqetësimin për pasojat që ekspozimi ndaj tyre mund të ketë në zonën e ish-Metalurgjikut.
Për zbardhjen e plotë të çështjes, drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor, të përbërë nga tre prokurorë dhe dy hetues. Grupi do të administrojë provat dhe dokumentacionin përkatës, si dhe do të kryejë veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me ndotjen e dyshuar mjedisore.

