TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka prezantuar projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke u ndalur te masat e sigurimit dhe përdorimi i arrestit me burg.
Rama deklaroi se synimi i ndryshimeve është modernizimi i sistemit të drejtësisë dhe përafrimi i tij me standardet europiane.
Ai bëri të ditur se, sipas projektndryshimeve, gjykata duhet të shqyrtojë fillimisht masat më të buta të sigurimit, përfshirë arrestin në shtëpi, përpara se të vendosë masën e arrestit me burg. Rama tha se për veprat penale që kanë një dënim maksimal deri në tre vjet, si rregull, nuk do të caktohen më masa shtrënguese. Ndërsa për veprat me dënim maksimal nën pesë vjet, sipas tij, nuk do të caktohet masa e “arrestit me burg”.
“Po ndërmarrim një tjetër reformë modernizuese për sistemin e drejtësisë dhe europianizues për shteti shqiptar, ku procesi penal duhet të nisë nga zanafilla e lirisë jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme. Kështu për shembull për veprat me dënim maksimal deri në 3 vjet si rregull nuk do caktohen më masa shtrënguese.
Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet nuk do caktohen më me arrest me burg. Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e saj të pavarur dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit dhe nëse nuk arsyeton pse masat më të buta nuk mjafton, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësi.
Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore të llogaritura sipas gjendjes financiare të personit, me përjashtimet e domosdoshëm për rrezikun ndaj provës, krimet e rënda me dhunë, terrorizmin, veprat kundër rendit kushtetues dhe çështjet specifike që janë kompetencë Gjykatës së Posaçme. Çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato”, tha Rama. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet
