Rruga Tiranë-Elbasan ishte një nga projektet dhe investimet më të rëndësishme që do të lidhte kryeqytetin me Juglindjen e vendit.
Punimet për këtë projekt, i cili koston totale e pati 450 milionë dollarë, nisën në vitin 2011.
Kompanitë e ndërtimit të këtij projekti ishin:
Për segmentin 1 Tiranë/Sauk-hyrja e Tunelit të Krrabës: kontraktori ishte JV COPRI Construction Enterprises E.L.L. & AKTOR Technical Societe Anonyme.
Për segmentin 2-Tuneli i Krrabës: kontraktori ishte AKTOR Technical Societe Anonyme.
Për segmentin 3-dalja e tunelit-Elbasan: kontraktori ishte përsëri JV COPRI Construction Enterprises E.L.L. & AKTOR Technical Societe Anonyme.
Por dardha e ka bishtin mbrapa.
Pas këtij projekti ekziston një histori e gjatë kontratash, vonesash, pretendimesh financiare dhe mosmarrëveshjesh me kompanitë ndërtuese.
Konfliktet për këtë rrugë dhe pasoja erdhën disa vite më vonë, ku dy prej segmenteve përfunduan në arbitrazhin ndërkombëtar.
Bëhet fjalë për segmentin 1 dhe 3 të rrugës Tiranës-Elbasan. Skandali i rrugës Tiranë-Elbasan/ SPAK heton zyrtarët e lartë 3 Shkurt, 17:44 Përplasja e kompanive për kostot shtesë
Kontraktori 'Copri-Aktor' kishte kërkuar kosto shtesë për vonesat në dy segmentet.
Albens Alite, drejtuesi i Njësisë së Menaxhimit të Projektit, i emëruar me urdhër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ftoi palët të ngrinin Bordin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve (DRB/ADRB) sipas kontratës ndërkombëtare FIDIC, mekanizëm, i cili u miratua edhe nga Banka Islamike për Zhvillim (financuesja e projektit). Bordet vendosën që shteti shqiptar t'i paguante kontraktorit një total prej rreth 37 milionë dollarësh.
Alite u komunikoi zyrtarisht vendimet e bordeve ministrit të asaj kohe, Damian Gjiknuri, dhe drejtorit të ARRSH-së, të asaj kohe, Afrim Qendro, duke i paralajmëruar se nëse vendimet nuk ankimoheshin në Arbitrazh brenda afatit ligjor 28-ditor, ato do të bëheshin përfundimtare dhe se dërgimi i çështjes në Arbitrazh nga kontraktori do t'i kushtonte një dëm shumë më të madh shtetit.
Gjiknuri dhe Qendro nuk vepruan dhe nuk ankimuan, duke bërë që vendimi të merrte formë të prerë.
Çfarë ndodhi?
Kontraktori e dërgoi çështjen në arbitrazhin ndërkombëtar në Paris.
Kontraktori COPRI Construction dhe AKTOR dërguan në arbitrazhin ndërkombëtar shtetin shqiptar duke pretenduar se u takonin para shtesë për shtyrjen e afateve të punimeve në rrugën Tiranë-Elbasan.
Bordet e mosmarrëveshje kishin vendosur që kompanitë të merrnin rreth 37 milionë dollarë ndërsa ministria dhe ARRSH ishin vonuar me ankimimin, edhe pse ishin paralajmëruar për këtë fakt nga drejtori i Njësisë së Menaxhimit të Projektit i asaj kohe, Albens Alite, se dëmi ndaj shtetit do të ishte shumë herë më i madh. Dhe kështu ndodhi.
Më 1 shtator 2020, tribunali arbitrar vendosi në favor të kompanive të ndërtimit dhe kundër shtetit shqiptar, kryesisht ARRSH-së, se vendimet e bordeve ishin përfundimtare dhe detyruese për shtetin shqiptar dhe urdhëroi pagesën e 44.26 milionë dollarëve, përfshirë TVSH-në, ndërsa shtesë u përcaktuan edhe shpenzime administrative dhe ligjore. Pra, shteti shqiptar del nga Arbitrazhi me një faturë rreth 45 milionë dollarë për të paguar ndaj kontraktorëve që merreshin me ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Përplasjet Damian Gjiknuri, Afrim Qendro, Albens Alite
Albens Alite u emërua më 20 tetor 2016 si Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit (PMU) për ndërtimin e rrugës Tiranë–Elbasan, Segmenti 1 dhe Segmenti 3, me urdhër të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Më 4 shkurt 2018, Albens Alite u arrestua si i dyshuar për shpërdorim detyre dhe u mbajt në masën e sigurisë 'arrest me burg' për 240 ditë.
Ai u pezullua dhe u zëvendësua nga detyra pa njoftim zyrtar, ndërsa ishte në paraburgim.
Gjithçka nisi pas një kallëzimi penal të bërë në dhjetor për shpërdorim detyre nga ish-ministri i MIE, Damian Gjiknuri.
Kallëzimi bazohej mbi një 'Audit Tematik' të MIE-së, i cili pretendonte shkelje ligjore, rritje të kostove të projektit me rreth 80% dhe nënshkrim amendamentesh kontrate pa burime financimi.
Nga dokumentet e administruara rezulton se shuma totale prej 36,998,114 USD (e përafruar në disa dokumente si 36,885,568.68 USD) që shteti shqiptar iu detyrua kontraktorit 'Copri-Aktor', u krijua plotësisht për shkak të vonesave dhe bllokimeve që i përkasin periudhës 2012–qershor 2016.
Albens Alite u emërua në detyrë më 20 tetor 2016. Rrjedhimisht, i gjithë dëmi financiar ishte konsumuar plotësisht përpara se ai të merrte detyrën, çka zbulon absurditetin e kallëzimit dhe arrestimit të tij. Përballja e Alites me drejtësinë dhe pushimi i çështjes
Më 28 korrik 2021, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi pushimin e hetimeve/akuzës ndaj Albens Alites, pasi u vërtetua se veprimet e tij ishin në përputhje të plotë me kontratën FIDIC dhe se ai nuk kishte kryer asnjë vepër penale. Vendimi mori formë të prerë më 30 shtator 2021. Më 10 dhjetor 2021, Albens Alite depozitoi një kallëzim penal në SPAK kundër Damian Gjiknurit dhe Afrim Qendros për 'Shpërdorim detyre'.
Ai pretendon se Gjiknuri dhe Qendro kanë konsumuar elementët e veprës penale përmes mosveprimit me dashje, gjë që i shkaktoi shtetit dëmin prej mbi 754 mijë eurosh kosto Arbitrazhi.
Gjithashtu, Alite pretendon se ndaj tij është bërë një kallëzim i rremë penal me qëllim që zyrtarët t'i shmangeshin përgjegjësisë së tyre.
Vetë Gjykata e Tiranës në vendimin e pushimit të vitit 2021 ka konstatuar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se zyrtarët e MIE-së dhe ARRSH-së pas datës 09.10.2017 kanë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe ka urdhëruar prokurorinë të hetojë këta titullarë. Pas kallëzimit të Alites në SPAK, u regjistrua procedimi penal Nr. 2 i vitit 2022.
Megjithatë, më 13 mars 2023, SPAK-u vendosi të shpallë moskompetencën dhe t'i transferojë aktet e këtij procedimi për ndjekje pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë.
Alite ka kërkuar zyrtarisht vendimin e arsyetuar për këtë transferim, duke këmbëngulur që për shkak të subjekteve ish-ministër çështja i përket kompetencës së SPAK-ut.
Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me këtë çështje.
I gjithë ky kalvar nxjerr në pah se si shteti shqiptar mori një faturë rreth 45 milionë dollarë pas humbjes në arbitrazhin ndërkombëtar në Paris dhe se si zyrtarët këtë shumë kërkuan t’ia faturojnë një personi ndaj të cilit çështja u pushua, ndërsa vijon sërish të kërkojë përballjen në gjyq për të çuar në bankën e të akuzuarve ata që ai pretendon se janë përgjegjësit e vërtetë të dëmit miliona dollarësh që iu shkaktua shtetit dhe qytetarëve shqiptarë./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

