Lajme Zone
Projektbuxheti 2027/ Boçi: Propaganda rritet, financimet zbresin
PolitikëCNA

Projektbuxheti 2027/ Boçi: Propaganda rritet, financimet zbresin

Luçiano Boçi ka komentuar situatën e arsimit shqiptar, që e cilëson si katastrofale. Propaganda është në maksimum nëpër fjalime, mirëpo në financime lë për të dëshiruar shteti, shprehet ai. Boçi komenton se shifrat janë alarmante duke i hedhur një sy buxhetit për financimin e arsimit për vitin 2027. Për shembull, ai përmend financimin që do të bjerë nga 2.89% në 2.86% për arsimin profesional dhe M

Luçiano Boçi ka komentuar situatën e arsimit shqiptar, që e cilëson si katastrofale. Propaganda është në maksimum nëpër fjalime, mirëpo në financime lë për të dëshiruar shteti, shprehet ai.

Boçi komenton se shifrat janë alarmante duke i hedhur një sy buxhetit për financimin e arsimit për vitin 2027. Për shembull, ai përmend financimin që do të bjerë nga 2.89% në 2.86% për arsimin profesional dhe Ministrinë e Arsimit. Sipas Boçit, propagandohet rritje nominale në projektbuxhet, por shifrat flasin veç për ulje të investimeve.

Kohë ka dhe për ironi, ku thekson se kohë për rritje ekonomike ka, por kohë për rritje të nivelit arsimit jo.

Edhe në PBB, financimi ulet, më konkretisht nga 1.35% në 1.29%. Transformimi i arsimit po mungon, buxheti nuk po i jep përgjigje problematikave, cilësia e mësimdhënies nuk po sheh hajër, pabarazitë midis shkollave urbane dhe rurale po thellohen.

Të gjitha këto çështje, Boçi i parashtron si pyetje retorike, por që përgjigjen e kanë sipas tij brenda formulimit të fjalisë.

Për Boçin arsimi është një zë që duhet trajtuar sot, sepse është investimi më i mirë për të ardhmen e Shqipërisë, thuhet ndër të tjera në postimine tij. Njoftimi i Boçit:

“Qeveria me ison e saj gjithmonë e shpall arsimin prioritet kombëtar, buxhetin e quan historik, por arsimimin e konsideron ama në heshtje “armik”.Në këtë këndvështrim projektbuxheti i vitit 2027 ngre një pikëpyetje themelore.Si mund të jetë prioritet arsimi, kur pesha e financimit të tij në ekonominë kombëtare zvogëlohet?!

Sipas të dhënave të paraqitura në projektbuxhet, financimi i përgjithshëm i arsimit, në përllogaritjen më të gjerë të Ministrisë, zbret nga 3,26% në 3,19% të PBB-së. Ndërsa financimi i tre zërave kryesorë, Ministria e Arsimit, arsimi profesional dhe financimi vendor, zbret nga 2,89% në 2,86%.

Këto shifra janë alarmante dhe duhen lexuar përtej propagandës së rritjes nominale të buxhetit.Ato tregojnë ironikisht se ekonomia parashikohet të rritet më shpejt se sa mbështetja financiare për arsimin.

Problemi për arsimin nuk është vetëm sa para shtohen. Këtu faktorët fillojnë nga inflacioni e shkojnë deri tek barra e shtuar fiskale.Problemi është se sa rëndësi i jepet realisht arsimit në shpërndarjen e pasurisë kombëtare dhe vendin që ai zë në përqindjen e PPB.Dhe rënia siç shihet nga shifrat është jo thjesht në total.

Arsimi bazë, aty ku ndërtohet e ardhmja, brenda këtoj buxheti qartazi humbet peshën e tij specifike.Financimi për këtë arsim dhe atë parashkollor rritet nominalisht vetëm 1,2%, ndërsa pesha e tij në PBB zbret nga 1,35% në 1,29%.

Kjo është një nga kontradiktat më serioze që ka ky projektbuxhet, sepse në një sistem që ka nevojë për përmirësimin e aftësive themelore të nxënësve, mbështetje për mësuesit, laboratorë, biblioteka dhe kushte më të mira mësimi, financimi i arsimit bazë nuk mund të trajtohet thjesht si shpenzim administrativ.Një shtet që kursen te formimi i fëmijëve, rrezikon të paguajë shumëfish nesër për pasojat e mungesës së arsimimit cilësor siç dhe ka ndodhur.Një buxhet nuk e mbaron detyrimin e tij duke financuar vetëm funksionimin, duke mos u përqëndruar tek zhvillimi.

Është e pafalshme që rreth 91% e buxhetit të Ministrisë shkon për shpenzime korrente dhe vetëm rreth 9,2% për investime kapitale.Sigurisht pagat dhe sigurimet shoqërore janë detyrime të domosdoshme.Por financimi i funksionimit të sistemit nuk duhet ngatërruar me financimin e transformimit të tij.

Për vitin 2027 buxheti parashikohen 2,2 miliardë lekë për 54 projekte infrastrukturore në vazhdim dhe 700 milionë lekë për rreth 40 projekte të reja. Të gjitha të pamjaftueshme.Ndërkohë dokumenti i buxhetit nuk jep një përgjigje shteruese pyetjeve që u interesojnë familjeve.Sa shkolla do të përfjnë realisht dhe sa fëmijë do të mësojnë në kushte më të mira në fund të vitit 2027?Pa këtë tregues, numri i projekteve mbetet një statistikë buxhetore, jo një rezultat arsimor.

Buxheti rreket që cilësinë e arsimit ta masë me inventar pajisjesh.Ministria parashikon trajnimin e 20–22 mijë mësuesve, ngritjen e 25 laboratorëve dhe pajisjen e mësuesve me 2.750 kompjuterë. Shifra te dëshmuara dhe nga vitet e tjera krejt fiktive.Por buxheti nuk i jep përgjigje pyetjeve thelbësore të arsimit.

Sa përmirësohen aftësitë e nxënësve?

Sa rritet cilësia e mësimdhënies?

Sa zvogëlohen pabarazitë midis shkollave urbane dhe rurale?

Këto duhet të jenë pyetjet që ky projektbuxhet duhet t’i japë përgjigje sepse problemet e evidentuara në vlerësimet ndërkombëtare të nxënësve kërkojnë objektiva të matshëm dhe një plan konkret ndërhyrjeje.Nuk mjafton të numërosh kompjuterët që hyjnë në shkollë. Duhet të matësh dijen me të cilën nxënësit dalin prej saj.Mbështetja për fëmijët mbetet kështu brenda tij thjesht një premtim statistikor,

Projektbuxheti parashikon dhe shtimin e 150 psikologëve e punonjësve socialë, si dhe 2.650 mësues ndihmës për 4.485 nxënës me aftësi të kufizuara.

Këto janë masa të nevojshme në situatën problematike që kalon shkolla shqiptare. Por mos të harrojmë se auditimi i KLSH-së ka konstatuar se 334 shkolla janë pa mbulim psiko-social dhe kjo shifër e shtuar qartazi është e pamjaftueshme,ndërkohë që problemet e bullizimit, ato sociale e përdorimit të lëndëve narkotike janë shtuar.Nuk mund të shpallet sukses vetëm shtimi i personelit, pa provuar se shërbimi arrin te fëmijët që kanë nevojë.

Universitetet nga ana e tyre në këtë projektbuxhet trajtohen vetëm si magazina që mbahen në këmbë vetëm me bursa.Në projektigj financimi i arsimit të lartë rritet vërtet formalisht nga 12,98 në 14,23 miliardë lekë. Kjo rritje duhet njohur, por ajo duhet analizuar në tërësinë e përmbajtjes së saj.

Rreth 1,1 miliardë lekë nga kjo shtesë lidhen me bursat studentore.Sigurisht mbështetja sociale është e nevojshme. Por universitetet shqiptare kanë nevojë edhe për cilësi akademike, kërkim shkencor, laboratorë, pedagogë të mbështetur dhe lidhje reale me tregun e punës. E këto mungojnë në buxhet.Ndërkohë, sipas të dhënave të projektligjit, numri i studentëve ka rënë me rreth 8 mijë krahasuar me vitin akademik 2020–2021.

Për Universitetet numri i bursave që shpërndahen është i rëndësishëm, por universitetet maten në treg me cilësinë e diplomës dhe mundësitë që krijon për të diplomuarit.Kërkimi shkencor mbetet i pakonsideruar dhe fondet për të janë aq mjerane, 0.08 e PBB, sa duket qesharake të kërkosh kërkim shkencor.

Arsimi profesional mbetet i braktisuri i madh i qeverisë dhe për të kujtohen vetëm në konferenca mdërkombëtare e jo në buxhete.

Projektbuxheti 2027 përmban rritje nominale në disa programe por ai nuk demonstron ende një angazhim financiar në përpjesëtim me ambicien e deklaruar për arsimin dhe asnjë mbështetje reale për zhvillimin e arsimit shqiptar. Arsimi nuk është një zë që duhet administruar sa më lirë sot. Është investimi që përcakton sa e aftë, sa konkurruese dhe sa e zhvilluar do të jetë Shqipëria nesër.Dhe nëse një qeveri pretendon se arsimi është prioritet, atëherë duhet ta dëshmojë këtë jo vetëm në fjalime, por në përqindje, në financim dhe, mbi të gjitha, në rezultate."/ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.