Kosova në këmbë për ish-krerët e UÇK Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshet e Prishtinës në “Marshin për Liri”, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Veteranë, familjarë të dëshmorëve, qytetarë dhe përfaqësues politikë kërkuan drejtësi për ish-drejtuesit e UÇK-së dhe kundërshtuan atë që e cilësuan si përpjekje për rishkrimin e historisë së luftës në Kosovë. Mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të shtunë në qendër të Prishtinës në “Marshin për Liri”, të organizuar në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues politikë iu bashkuan marshimit, ndërsa sheshet e kryeqytetit u mbushën me flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së.
Në qendër të mesazheve të tubimit ishte kërkesa për drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po përballen në Dhomat e Specializuara në Hagë me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër janë deklaruar të pafajshëm.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha para pjesëmarrësve se marshi nuk ishte organizuar për të mbrojtur individë të veçantë, por atë që ai e konsideroi të vërtetën historike të luftës së Kosovës.
“Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur individë, por jemi këtu për të mbrojtur të vërtetën. Jemi këtu për të mbrojtur luftën e drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kërkojmë vetëm drejtësi, kërkojmë një proces të drejtë dhe të paanshëm. Historia jonë nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e popullit tonë nuk mund të zhbëhet”, deklaroi Gucati. Ai tha se pjesëmarrja e qytetarëve në marsh përbënte një mesazh mbështetjeje për ish-drejtuesit e UÇK-së dhe për trashëgiminë e luftës.
Një nga fjalimet gjatë tubimit ishte ai i Liriona Sulejmanit, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, e cila foli për peshën që lufta dhe UÇK-ja kanë për familjet e dëshmorëve.
“UÇK-ja nuk është vetëm një kapitull historie. Për ne është amanet, është sakrificë, është gjaku i atyre që dhanë jetën që ne sot të jetojmë të lirë. Prandaj, kur preket UÇK-ja, preket historia jonë dhe preket sakrifica e familjeve tona. Ne kërkojmë drejtësi dhe kërkojmë që e vërteta të mos shtrembërohet”, tha Sulejmani.
Ajo kërkoi gjithashtu që çështjet që lidhen me luftën dhe historinë e Kosovës të qëndrojnë mbi ndarjet politike.
“Duhet ta vendosim Kosovën mbi interesat personale dhe mbi interesat politike. Kur bëhet fjalë për luftën tonë, për dëshmorët dhe për ata që luftuan për liri, duhet të jemi bashkë. Ky është një moment kur duhet të flasim me një zë dhe të kërkojmë drejtësi për ata që sot ndodhen në Hagë”, u shpreh ajo.
Në marsh mori pjesë edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili e përqendroi fjalën e tij te pritshmëritë për përfundimin e procesit gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
“Ne presim drejtësi. Presim që më 16 shtator të ketë një vendim të drejtë dhe presim që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen të pafajshëm. Ata kanë qenë pjesë e një lufte për lirinë e Kosovës dhe ne besojmë se drejtësia duhet të triumfojë”, deklaroi Hamza.
Kreu i PDK-së iu drejtua edhe trupit gjykues në Hagë, duke paralajmëruar për peshën që vendimi do të ketë në Kosovë.
“Gjykatësit duhet ta dinë se vendimi i tyre do të lexohet jo vetëm si një vendim për katër persona. Ai do të shihet dhe do të përjetohet edhe në raport me historinë e luftës sonë. Prandaj kërkojmë një vendim të bazuar në fakte dhe në drejtësi. Historia e Kosovës dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të rishkruhet”, tha Hamza.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini. Ai shprehu pritshmërinë që ish-drejtuesit e UÇK-së të kthehen në Kosovë pas përfundimit të procesit në Hagë.
“Ne besojmë se ata do të kthehen të lirë në Kosovë. Kjo nuk është vetëm çështje e individëve që janë sot në Hagë, por është një çështje që prek luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mënyrën se si ajo luftë trajtohet. Kosova e di se për çfarë ka luftuar dhe qytetarët e saj e dinë çmimin që është paguar për lirinë”, deklaroi Gjini.
Në podium doli edhe Buna Mustafa, vajza e ish-komandantit të UÇK-së Sali Mustafa. Në fjalën e saj, ajo e cilësoi krijimin e UÇK-së si pasojë të rrethanave historike në të cilat ndodhej popullsia shqiptare në Kosovë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte domosdoshmëri historike. Ajo nuk lindi nga dëshira për luftë, por nga nevoja për të mbrojtur një popull që kërkonte liri. Nuk mund të vendosen në të njëjtën peshore viktima dhe agresori dhe nuk mund të barazohet lufta për liri me krimet që janë kryer kundër popullit tonë”, tha Mustafa.
Thirrjeve iu bashkuan edhe qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës. Nga Prizreni, pjesëmarrësit thanë se ishin organizuar autobusë për të sjellë qytetarët në kryeqytet.
“Ne kemi ardhur këtu për t’u dhënë mbështetje çlirimtarëve tanë. Besojmë në pafajësinë e tyre dhe presim që të kthehen sa më shpejt pranë familjeve dhe popullit të Kosovës. Kemi ardhur nga Prizreni me shumë qytetarë, sepse mendojmë se në një ditë të tillë duhet të jemi të gjithë bashkë”, u shpreh një prej pjesëmarrësve.
Tubimi në Prishtinë zhvillohet në një moment të rëndësishëm të procesit në Hagë. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim që prej vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023.kosove marshim Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kosova Nis “Marshi për Liri”, shtëpia e Hashim Thaçit mbulohet me flamuj kuqezi! 12 Shtator 2026, 14:0014:00Kosova Gjyqi në Hagë, Vuçiç: Kam informacione nga Franca, Hashim Thaçi do të marrë dënim të rëndë 12 Shtator 2026, 14:0014:00Kosova “Kosova po pret”, sot në Prishtinë marshimi në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së 12 Shtator 2026, 08:1608:16Kosova Marrëveshje me PDK-në dhe LDK-në? Kurti vendos kushtet për votat e Vetëvendosjes 11 Shtator 2026, 18:4118:41Kosova Shtyhet për të dielën seanca konstituive në Kosovë, Haxhiu përplaset me LDK-në për zgjedhjen e nënkryetarit 11 Shtator 2026, 17:3317:33Kosova Rifillon seanca konstituive në Kosovë, Haxhiu thirrje PDK-së të kthehet në sallë 11 Shtator 2026, 15:1415:14Kosova

