Resorti “Principotes”, përballë tre ishujve të Ksamilit, është kthyer në qendër të hetimeve pas vrasjes me thikë të 21-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes. Ngjarja ndodhi në orët e para të së martës, pas një konflikti gjatë një feste në resort, ku i riu, sipas të dhënave të bëra publike, u përfshi në një sherr për një vajzë dhe më pas u godit me thikë në shezlongët pranë plazhit. Për ngjarjen, policia ka arrestuar 29-vjeçarin nga Hasi, Sokrat Vata, ndërsa është shpallur në kërkim edhe Bekim Bulica, i identifikuar si pronari i resortit. Në kuadër të hetimeve janë shoqëruar 42 persona, ndërsa është ndaluar edhe Moisid Matushaj, specialist hetimi në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër, i cili punonte edhe si roje sigurie në të njëjtin grup me Vatën dhe dyshohet se ka ndihmuar autorin e dyshuar të largohej nga vendi i ngjarjes.
Lidhjet e tij me Francën duket të jenë të forta. Klubi i natës në Principotes, mban një emër francez “La Guerre” (Lufta), ndërsa çdo të hënë, sipas njoftimeve në rrjetet sociale, organizohen “Netët franceze”. Pikërisht mbrëmjen e djeshme, ishte ftuar një DJ francez.
“Principotes” rezulton e regjistruar në emër të Kade Bulicës, 71-vjeçare nga Kukësi, e cila është nëna e Bekim Bulicës. Emri i këtij të fundit është përmendur më herët në kronikat kriminale. Në shkurt 2021, Bulica u ekstradua nga Franca, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në lidhje me një vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, e cila më 14 tetor 2019 i kishte caktuar masën “Arrest në burg” për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, pas një ngjarjeje të ndodhur më 19 shtator 2019 në Kukës, ku ishte qëlluar me armë në drejtim të automjetit të shtetasit F. C. Në shtator 2023, emri i tij u përfshi sërish në një ngjarje të dhunshme në Tiranë, ku së bashku me disa familjarë dhe një person tjetër dyshohet se i zunë pritë një polici dhe vëllait të tij, duke i goditur me shkopinj gome. Për këtë ngjarje, policia arrestoi Blerim Bulicën, ndërsa Bekim Bulica dhe tre persona të tjerë u shpallën në kërkim.
Emri i Bekim Bulicës është përmendur edhe në mediat franceze. Në maj 2024, “Le Monde” publikoi një artikull ku përshkruhej aktiviteti i një shqiptari me pseudonimin “Zamir”, i cili drejtonte një prej rrjeteve të shpërndarjes së kokainës në Paris. Sipas artikullit, “Zamir” kishte rrëmbyer dhe dhunuar një shpërndarës që ishte larguar me një pjesë të klientelës, ndërsa videoja e dhunës ishte përdorur për të frikësuar persona të tjerë. Mediat shqiptare e kanë lidhur këtë personazh me Bekim Bulicën, duke theksuar se emri i tij ishte ndryshuar në publikim pasi ishte nën hetim nga Brigada Franceze e Narkotikëve. Ndërkohë, në lidhje me vrasjen e Luis Miguel Varela Mendes, Sokrat Vata është personi i dyshuar për goditjen me thikë. Vata ka precedent penal në Angli: në vitin 2023 ishte shpallur fajtor për posedim të një arme sulmuese, posedim kokaine dhe drejtim automjeti pa siguracion. Më 13 prill 2024, në Kent, ai dyshohet se përmbysi një automjet të klonuar gjatë një ndjekjeje policore, ndërsa më 30 prill 2024 u përfshi në një tjetër ndjekje në Cambridge, ku policia gjeti kokainë, para cash dhe targa në lidhje me automjetin.

