Presidenti i Greqisë, Konstantinos Tasoulas, ka rikthyer termin e debatueshëm “Epiri i Veriut” gjatë një ceremonie përkujtimore në Selanik, me rastin e festës kombëtare të 28 Tetorit. Duke kujtuar luftën italo-greke të viteve 1940-1941, ai e cilësoi përparimin e ushtrisë greke në jug të Shqipërisë si “Epika e Epirit të Veriut”. Gjatë kësaj fushate ushtarake, trupat greke kaluan kufirin shqiptar dhe morën nën kontroll qytete si Korça, Gjirokastra, Përmeti, Himara, Delvina dhe Saranda.
Deklarata është përshëndetur nga Shoqata e të Rinjve të Epirit të Veriut, e cila pretendon se popullsia me origjinë greke në këto zona e kishte konsideruar ardhjen e ushtrisë greke si çlirim. Organizata ka kundërshtuar edhe përdorimin e termit “Epika Shqiptare”, duke këmbëngulur se ngjarjet duhet të përkujtohen si pjesë e historisë së komunitetit grek të rajonit. Kështu, një përkujtim historik i luftës së vitit 1940 shoqërohet sërish me një debat mbi mënyrën se si interpretohet historia e jugut të Shqipërisë.
Por ajo që e bën deklaratën të ndjeshme është fakti se “Epiri i Veriut” është një emërtim historik që përdoret në Greqi për pjesën jugore të Shqipërisë, territor që i përket Republikës së Shqipërisë sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Përdorimi i këtij termi nga vetë presidenti grek rikthen në vëmendje një çështje që shkon përtej kujtesës së luftës dhe prek edhe ndjeshmëritë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë.

