Gazetarja Klodiana Lala, në emisionin “Prime News24” në News24, komentoi çështjen e Vlora Hysenit, duke e cilësuar atë si një rast që kërkon hetim të thelluar dhe që, sipas saj, nxjerr në pah dështimin e institucioneve shqiptare. Lala u shpreh se rasti duhet të hetohet për të kuptuar se si ka funksionuar Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), një institucion që ka përgjegjësinë për garantimin e sigurisë kombëtare. Sipas gazetares, përgjegjësi për këtë situatë mban edhe kryeministri Edi Rama, i cili, sipas saj, e emëroi Hysenin në krye të SHISH-it. Gazetarja theksoi se arrestimi i ish-drejtueses së shërbimit informativ, edhe pse ajo ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, sipas saj, duhej të kishte sjellë dorëheqjen e kryeministrit. “Ndoshta deri më 15 dhjetor do të kemi emrin e gjykatësit që do trajtojë çështjen. Rasti i Vlora Hysenit ka nevojë për një hetim të thelluar është një dështim i të gjitha institucioneve. Së pari dështim i zotit Rama që solli një njeri të pacertifikuar në krye të SHISH. Së dyti për të kuptuar në çfarë gjendje është ky institucion që do duhet të garantonte sigurinë kombëtare, mendoj është çështje që do tregojmë shumëçka për mënyrën se si ka funksionuar shteti shqiptar…Arrestimi i shefesh së SHISH , pavarësisht se është në “arrest shtëpie” do të duhet të kishte sjellë dorëheqjen e kryeministrit të vendit. Pavarësisht faktit se zonja Balluku dyshohet për korrupsion , rasti i ish shefes së shërbimit informativ shtetëror , ka dyshime se ka nxjerrë informacion sekret ka ndihmuar një person të krimit të organizuar në arrati dhe është vënë në funksion sipas pretendimeve të SPAK të një personi që është i dyshuar për krim të organizuar. Dhe unë nuk kuptoj pasivitetin e Presidentit dhe kryeministrit që kanë lënë Shërbimin Informativ Shtetëror pa një drejtues, është çmenduri. Është presidenti në detyrë? Çfarë bën?”, tha mes të tjerash gazetarja Klodiana Lala. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
