Jemi afër Evropës sepse jemi pjesë organike e saj, si vend dhe si popull, qëkurse princesha fenikase me të njëjtin emër mërgoi në mitologjinë greke për t’i dhënë emrin e saj kontinentit tonë. Jemi afër sepse demokracia jonë e re, saktësisht tridhjetë e gjashtë vite më parë, lindi nën shenjën e pakthyeshme të bashkimit me familjen evropiane. Shumë ujë ka rrjedhur që atëherë nën urën e kohës. Megjithatë, një realitet ka mbetur i palëkundur: shqiptarët vijojnë të jenë populli më eurooptimist në kontinent, me rreth 98 për qind të mbështetjes. Pas një pritjeje kaq të gjatë, rënia në dëshpërim do të ishte e justifikueshme – dhe në fakt, shenjat e lodhjes janë të dukshme. Por, busulla dhe aspiratat evropiane mbeten të palëkundura. LEXO EDHE:Senatorja amerikane Shaheen nga Tirana: SHBA të përqendrohet te ekonomia, stabiliteti dhe demokracia në Ballkan! Të mbahen përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin Kemi qenë afër edhe sepse Evropa ka qenë e pranishme këtu gjatë gjithë këtyre dekadave, duke mbështetur, inkurajuar dhe asistuar udhëtimin e Shqipërisë drejt saj. Sot jemi edhe më afër, sepse kemi hyrë sakaq në fazën finale të prekjes së ëndrrës: kemi hapur gjithë grupkapitujt dhe mbyllur disa syresh. Çdo ditë që kalon, Shqipëria duket më pranë anëtarësimit. Por do të ishte një iluzion i rrezikshëm ta shihnim këtë rrugë si një fushë me lule apo ta quanim procesin e mbyllur. “Portat e Herkulit”, që simbolizojnë suksesin e kësaj përpjekjeje të madhe, i kemi ende përpara. Për këtë arsye, integrimi vijon të mbetet i tillë: afër dhe larg si horizonti. Këtë dualitet e pohojnë qartë edhe deklaratat e shpeshtuara të kryeministrit Edi Rama në media dhe konferenca me fokus integrimin. I tillë ishte rasti i Konferencës Ndërparlamentare në Tiranë, ku ai i bëri apel Brukselit “të mos na lërë në baltë” – një frazë që bie ndesh me optimizmin zyrtar të zyrtarëve të BE-së që merren me zgjerimin. A thua kryeministri ka mësuar diçka që e dinë vetëm pak vetë? Nëse ka vërtet diçka të tillë, ajo nuk mund të jetë gjë tjetër veçse vetëdija se në disa shtete të unionit është rikthyer skepticizmi për zgjerimin në tërësi, apo për Shqipërinë specifikisht. Frustrimin e tij në këtë pikë, kreu i qeverisë e shfaqi përmes një paralelizmi të paqëlluar, duke krahasuar shtatë vendet aspirante për në BE me shtatë fëmijët e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Sipas tij, Ursula nuk do t’i thoshte vajzës së saj “shko dhe kalo ca kohë me gangsterin rus te cepi se mami është pak e zënë”, apo djalit “shko e luaj me ca lodra kineze se tavolinën e përdorin të rriturit”. Gjuha e Ramës është shpesh një qëndisje figurash letrare në petkun e një politikani të ardhur nga bota e arteve. Si e tillë, ajo mbetet brenda kornizës së atipikes dhe ekstravagantes. Megjithatë, përmbajtja e fjalëve të një kryeministri lexohet gjithmonë si qëndrime politike, qoftë edhe kur kërkon të jetë letrar, qoftë edhe kur mesazhi i nënkuptuar nuk ka qenë i qëllimshëm. Në këtë rast, metaforat e Ramës me gangsterin rus dhe lodrat kineze e zhvendosin diskursin në fushën e diversionit diplomatik: nëse nuk na pranoni në BE, mbetemi në duart e Rusisë dhe Kinës! Edhe sikur të përdoret në formë shakaje, ky diversion tregon një keqkuptim të madh të politikave të BE për zgjerimin. Është e vërtetë se zhvillimet gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, apo sfidat e larmishme të raporteve të Presidentit Trump me BE-në, kanë ndikuar në përshpejtimin e hapjes së dyerve për disa vende kandidate. Brukseli mund të mbyllë një sy aty-këtu për çështje sekondare të standardeve, por kurrë të dy sytë. Dhe aq më pak për kriteret themelore, ku përfshihen sundimi i ligjit dhe drejtësia. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, këto standarde janë kusht sine qua non – asgjë nuk i zëvendëson apo relativizon ato. Nga ana tjetër, asnjë vend kandidat, përfshirë Shqipërinë, nuk mund ta kushtëzojë integrimin duke përdorur gogolin rus apo kinez. Një strategji e tillë do të nënkuptonte pranimin e dështimit në zbatimin e standardeve demokratike. Rusia apo Kina nuk mund të jenë kurrë opsione për një vend ku 98 për qind e qytetarëve aspirojnë familjen evropiane. Në një vend demokratik, kur qeveria dështon t’i shërbejë kësaj aspirate, ndërrohet qeveria, jo aspirata. Dhe në fakt, një problem i madh ka zënë vend në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në. Ai lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si qeveria shqiptare e konsideron kuadrin e interesave strategjike të familjes ku kërkon të bëjë pjesë. Sinkronizimi gjeopolitik me BE-në nuk është një përzgjedhje fakultative, është kusht paraprak. Pasi është “djegur nga qulli” me sovranizmin e ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban, BE-ja ka çdo të drejtë t’i fryjë edhe kosit me kandidatët e rinj – që do të thotë edhe me Shqipërinë. Kur ekzekutivi shqiptar u jep ndërmarrjeve që vijnë nga vende jashtë BE-së ekskluzivitete strategjike në industrinë ushtarake, në investimet e gazit të lëngshëm (LNG), apo leje për resorte luksoze në zonat tona më delikate dhe të mbrojtura natyrore, ky nuk është thjesht pragmatizëm ekonomik. Kjo përbën një përplasje të hapur me kuadrin e interesave të familjes ku kërkojmë të anëtarësohemi. Nuk mund të pretendohet Evropa duke luajtur me karta interesash që bien ndesh me gjeopolitikën e saj. Ambiguitetet apo loja me shumë porta në këtë pikë nuk kanë asnjë shans të korrin sukses. Përkundrazi, ato i kushtojnë vendit mbylljen e dyerve të integrimit. Asgjë nuk na ka kushtuar më shtrenjtë përgjatë këtyre tri dekadave se sa iluzioni i pushtetarëve se mund ta mashtrojnë historinë. Shqipëria duhet ta konsiderojë, pa asnjë mëdyshje, kuadrin e interesave të familjes evropiane si udhërrëfyesin e saj të vetëm. Çdo hap i hedhur jashtë kësaj rruge, çdo “dhuratë” apo ekskluzivitet i falur jashtë vëmendjes së Brukselit, nuk na afron me Evropën, por na shtyn në periferi dhe jashtë saj. *Ky artikull botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi evropian” të Institutit Shqiptar të Medias. R.Xh/Shqiptarja.com TAG: preç zogaj integrimi ne be shqiperia ballkani perendimor sundimi i ligjit Komente Komento Sondazhi i ditës:
8 Tetor, 11:03
PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 59.7% Jo 34.3% Nuk e di 6.1% Vota total: 5559 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 8 Tetor, 11:03 PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?
