Abdullah Prapashtica ka rrëfyer detaje nga takimi i parë me Sabri Novosellën dhe përpjekjet për bashkimin e organizatave politike shqiptare në ilegalitet gjatë viteve ’80.Në ciklin “Dosjet” në “Debat Plus”, Prapashtica tha se takimi i parë me Novosellën ishte zhvilluar më 20 nëntor 1981, pasi ai ishte larguar nga Kosova dhe ishte vendosur në Turqi. Sipas tij, në atë takim Prapashtica dhe bashkëpunëtorët e tij i kishin treguar Novosellës se kush ishin dhe cilat ishin planet e tyre politike.“Takimi i parë ka qenë më datë 20 nëntor të vitit 1981. Ne atëherë i kemi treguar edhe Sabriut se kush jemi dhe çfarë planesh kemi dhe kemi vazhduar bisedimet me ta. Ai na ka prit jashtëzakonisht mirë, është sjellë mirë”, tha Prapashtica.Ai tregoi se besimi ndaj Novosellës ishte i madh, ndër të tjera edhe për shkak të lidhjeve të tij me Adem Demaçin dhe familjes Novosella.“Ne në njëfarë mënyre kemi pasë besimin, përderisa ka qenë shok i Adem Demaçit, kemi pasë besim të pakufizuar. Plus ka qenë vëllai i Selatin Novosellës dhe Selatini ka qenë njëri prej organizatorëve të demonstratave të vitit ’68”, rrëfeu ai.Prapashtica tha se gjatë takimeve me Novosellën kishin diskutuar edhe për nevojën e kontaktimit me organizatat e tjera shqiptare dhe për bashkimin e tyre.Megjithatë, sipas tij, marrëdhëniet nuk kishin qenë gjithmonë të qeta. Prapashtica tha se me kalimin e kohës Novosella kishte shfaqur qëndrime të ndryshme dhe kishte kritikuar kërkesën për Republikën e Kosovës.“Sabriu fillimisht ishte shumë i sjellshëm dhe i këndshëm për bisedë, mirëpo me kalimin e kohës ai eskalonte, kohë pas kohe eskalonte, dilte një person krejt tjetër, në 180 shkallë në anën e kundërt”, tha Prapashtica.Sipas tij, Novosella kishte kundërshtuar organizimin e demonstratave me kërkesën për Republikën e Kosovës, duke argumentuar se duhej kërkuar bashkimi me Shqipërinë. “Ndonjëhere edhe na akuzonte pse me organizu demostratat për Republikën e Kosovës, është dashtë me kërku bashkim me Shqipërinë dhe jo bashkim me krijimin e Republikës dhe bile ka ”, rrëfeu Prapashtica.

