Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri është rritur më shumë se dyfishi në gjashtë vitet e fundit, duke arritur në rreth 29 mijë lekë (315 euro) në muaj për një person në vitin 2025. Por, ndërsa pragu i të ardhurave që e klasifikon një individ në rrezik varfërie është rritur me ritme të shpejta, pensionet dhe pagesat e ndihmës ekonomike mbeten shumë më poshtë këtij niveli. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një familje me një person arriti në 349,565 lekë në vitin 2025, ose 29,130 lekë në muaj, nga 14,232 lekë në muaj në vitin 2019. Në gjashtë vjet, ky prag është rritur me 104.7%, ose rreth 15 mijë lekë në muaj. Rritja është përshpejtuar sidomos pas vitit 2022, kur kufiri i varfërisë ishte rreth 18,800 lekë në muaj, ndërsa në vitin 2024 kishte arritur në 27 mijë lekë. Por pjesa më shqetësuese e të dhënave lidhet me hendekun e madh mes këtij kufiri dhe të ardhurave që sigurojnë kategoritë më vulnerabël të shoqërisë, veçanërisht pensionistët dhe familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike. Sipas të dhënave të institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, pensioni mesatar mujor i pleqërisë në qytet ishte rreth 20,100 lekë, ose rreth 9 mijë lekë më pak se kufiri mujor i rrezikut të varfërisë. Në zonat rurale, ku pensioni mesatar ishte rreth 12,300 lekë në muaj, diferenca arrinte në afro 16,800 lekë.
Në pensionist që jeton i vetëm dhe ka si burim të vetëm të ardhurash pensionin mesatar, rezulton nën kufirin e rrezikut për të qenë i varfër, si në qytet, ashtu edhe në fshat.
Situata është edhe më e vështirë për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. Sipas të dhënave të INSTAT, pagesa mesatare mujore për familjet përfituese ishte rreth 7,253 lekë në vitin 2025, shumë më poshtë se pragu prej 29,130 lekësh, i cili vlen vetëm për një person.
Për familjet me disa anëtarë, kufiri i rrezikut të varfërisë është edhe më i lartë, çka e thellon më tej diferencën me pagesat e mbështetjes sociale.
Rritja e kufirit të nxjerr në pah distancën e madhe mes standardit relativ të jetesës dhe përfitimeve që ofrojnë skemat sociale.
Sipas metodologjisë së INSTAT, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër përcaktohet në masën 60% të medianës së të ardhurave të disponueshme të ekuivalentuara dhe është një tregues relativ që identifikon individët me të ardhura ndjeshëm më të ulëta se pjesa tjetër e popullsisë.
Në vitin 2025, shkalla e rrezikut për të qenë i varfër ishte 19%, nga 19.2% një vit më parë. Treguesi mbeti pothuajse në vend-numëro.
Teksa shihet se pensionet dhe ndihma ekonomike vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme për ta kaluar kufirin statistikor të varfërisë, në rastet kur përbëjnë burimin e vetëm të të ardhurave./ Monitor © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

