Lajme Zone
Porositi ekzekutorin grek për vrasjen e Devi Kasmit, i dënuar me burgim të përjetshëm. Kush është Aurel Hoxhallari, “truri” i grupit kriminal që u ekstradua sot nga Rumania
BotëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Porositi ekzekutorin grek për vrasjen e Devi Kasmit, i dënuar me burgim të përjetshëm. Kush është Aurel Hoxhallari, “truri” i grupit kriminal që u ekstradua sot nga Rumania

Aurel Hoxhallari, një prej personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar sot në Shqipëri nga Rumania, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar “The Wanted”.

Aurel Hoxhallari, një prej personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar sot në Shqipëri nga Rumania, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar “The Wanted”. Hoxhallari, 49 vjeç, ishte shpallur në kërkim pasi ndaj tij rëndon një dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen e Devi Kasmit, si dhe dënime të tjera për armëmbajtje pa leje, trafikim e kultivim narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal.

Sipas Policisë së Shtetit, autoritetet rumune e arrestuan Hoxhallarin me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e kishte dënuar me masën “burgim të përjetshëm” për një sërë veprash penale. Në dosjen e vrasjes së Devi Kasmit, Hoxhallari është konsideruar nga SPAK si organizatori dhe porositësi i ekzekutimit. Kasmi u vra me armë zjarri më 29 janar 2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë. Për këtë ngjarje është dënuar me burgim të përjetshëm edhe shtetasi grek Ethimios Efthimiou, i akuzuar si ekzekutori me pagesë.

Burgim të përjetshëm për vrasjen e Kasmit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e shpalli fajtor Aurel, alias Altin, Hoxhallarin për “vrasje me paramendim për interes”, kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e dënuar me burgim të përjetshëm.

Përveç vrasjes, gjykata e shpalli fajtor edhe për mbajtje dhe prodhim të paligjshëm të armëve, përfshirë sasi të mëdha armësh e municionesh, si dhe për prodhim e shitje narkotikësh, kultivim narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal. Dënimet për këto vepra varionin nga 5 deri në 15 vite burg, por pas bashkimit të tyre, dënimi përfundimtar ishte burgim i përjetshëm.

Aurel Hoxhallari, gjatë arrestimit në 2015-ën

Hetimet e SPAK zbuluan se Hoxhallari dyshohej se kishte rol organizues në ekzekutimin e Kasmit. Në çështje u përfshi edhe ish-komandoja grek Ethimios Efthimiou, i cili u arrestua nga autoritetet shqiptare dhe u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm.

Emër i njohur për policinë

Aurel Hoxhallari nuk ishte një emër i panjohur për autoritetet shqiptare. Në janar të vitit 2015, ai dhe kushëriri i tij, Elton Hoxhallari, ishin arrestuar si të dyshuar për porositjen e vrasjes së Pajtim Sejranit në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë. Ata u liruan më pas nga Gjykata e Krimeve të Rënda për mungesë provash.

Hoxhallari është lidhur gjithashtu në hetime me aktivitetin e narkotikëve dhe veprimtarinë e një grupi kriminal me aktivitet edhe jashtë Shqipërisë.

I janë sekuestruar edhe pasuri

Në një tjetër procedim, GJKKO, me kërkesë të SPAK, ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të lidhura me Aurel Hoxhallarin dhe persona të lidhur me të. Mes tyre janë objekte në Yzberisht, në Unazën e Re dhe në zonën e Kodër-Mëzezit, përfshirë banesa dhe magazina. Dokumente të administrimit të pasurive konfirmojnë se disa prej këtyre pasurive kanë kaluar në proces konfiskimi.

Ekstradimi i Hoxhallarit në Shqipëri është pjesë e tre fazave të reja të operacionit “The Wanted”. Në të njëjtin operacion, Policia njoftoi edhe arrestimin në Rinas të Bujar Bujës, 43 vjeç, të kërkuar nga autoritetet spanjolle për trafikim narkotikësh dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërsa nga Londra u ekstradua drejt Shqipërisë Xhuljano Hoxha, 31 vjeç, i kërkuar për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët rumunë, vijon procedurat për përfundimin e dokumentacionit të ekstradimit të Hoxhallarit dhe dorëzimin e tij te autoritetet shqiptare. Top Channel