Një qytetare i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar një rast të ndodhur gjatë një porosie në Wolt, duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë pagesës.
Sipas saj, porosia kishte një vlerë prej 770 lekësh, ndërsa në momentin e dorëzimit korrieri i ka marrë 1090 lekë.
Ajo thotë se kontaktoi suportin e klientit për të kërkuar sqarim dhe rimbursim, por sipas përgjigjes së marrë, kompania nuk mundi të verifikonte se cila prej palëve kishte të drejtë.
“Bëra porosi 770 lekë dhe erdhi korrieri, më mori 1090. Kur i shkruaj suportit të klientit, më thotë nuk e verifikoj dot, sepse korrieri më thotë që mora vetëm 770 lekë dhe e mbyllin bisedën”, shprehet qytetarja.
Ndërkohë në përgjigjen e suportit thuhet se “duke qenë se informacionet e dhëna nga të dyja palët nuk përputhen, ne nuk kemi mundësi të përcaktojmë me siguri se çfarë ka ndodhur, për fat të keq nuk mund të procedojmë me rimbursimin”.
Sipas qytetares, problemi qëndron edhe te mënyra se si korrieri kontrollon shumën që duhet të paguajë klienti. Ajo kërkon që korrierët të bazohen te çmimi i porosisë që shfaqet në aplikacion, dhe jo te shuma e paraqitur në faturë, pasi kjo mund të krijojë diferenca në pagesë.
Qytetarët që kryejnë porosi me pagesë në dorë këshillohen të kontrollojnë shumën në aplikacion përpara se të kryejnë pagesën dhe të ruajnë faturën, porositë dhe komunikimet me suportin në rast se lind ndonjë problem.

