Gert Metani, Pedagog, ekspert i çështjeve të sigurisë publike ka komentuar episodet e përsëritura të dhunës të ushtruar ndaj të rinjve nga ana e policisë në protestat që po mbahen prej 14 ditësh. Në një intervistë për emisionin ‘Minuta e parë’ në News24 me Ola Brukon, ai komentoi se kush e ka kompetencë për të reaguar për protestat. Ai tha mes të tjerash se Forcat Shqiponja nuk janë të përshatshme për të ndërhyrë në situata të tilla. Mes të tjerash ai shtoi se armët jovdekjeprurëse nuk duhet të përdoren nga afër ndaj qytetarëve, pasi shkaktojnë dëmtime të mëdha në trupin e njeriut, siç ishte rasti i Erjon Vishkulli, që mori dëmtime të mëdha në njërin sy dhe rrezikon të humbasë shikimin. Metani theksoi se policia ka shpërdoruar detyrën. Gert Metani, pedagog, ekspert i çështjeve të sigurisë publike: Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë në rrethe të ndryshme të vendit janë në terren në protesta dhe janë edhe forcat Shqiponja. Efektivët kanë shkaktuar një sërë incidentesh. FNSH ka bote uji, kanë shotganë me saçmet e gomës, kanë shkopinj gome dhe skafandra, kanë edhe gaz lotsjellës dhe spraj me piper djegës, që janë armë jo vdekjeprurëse, por kur përdoren nga afër dhe në gjymtyrët e sipërme, edhe këto armë, mund të jenë vdekjeprurëse ose dëmsjellëse, si në rastin e Erjon Vishkullit, që sot rrezikon shikimin.
Distanca në rastin e Vishkullit ka qenë nën 20 metra dhe këto armë e kanë rrezikshmërinë e lartë, kur qëllohet nga afër. Janë armë që përdoren vetëm në kushte ekstreme. Por ne kemi parë se Policia ka pasur mundësinë të mbrojë veten dhe protestuesit. Rasti i Erjon Vishkullit ka ardhur nga një sulm, që është e rëndë, sepse Policia nuk mund të sulmojë dot protestuesit. Ne kemi parë Policinë që ndjek protestuesit edhe në rrugica. Rasti i Vishkullit ka ardhur, pasi është qëlluar nga afër dhe në pjesën e sipërme të trupit.
Kam bërë thirrje në Prokurori që mos përdoren këto armë në pjesën e sipërme të trupit, me plumba gome, që mund të dëmtojnë syrin apo mund të sjellin dëmtime të tjera. Policët kanë shpërdoruar së paku detyrën. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: dhuna policia protesta
