Lajme Zone
“Policia shënjestroi me ujë automjetin e News24”/ Gjekmarkaj akuza të forta ndaj Ramës: Shqipëria nuk do të kthehet në shtet policor!
PolitikëBalkanWeb

“Policia shënjestroi me ujë automjetin e News24”/ Gjekmarkaj akuza të forta ndaj Ramës: Shqipëria nuk do të kthehet në shtet policor!

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka ngritur akuza të rënda ndaj Policisë së Shtetit dhe qeverisë së Edi Ramës, duke pretenduar se strukturat operacionale po mbajnë nën përgjim selinë e Partisë Demokratike, ndërsa qytetarëve po u ushtrohet presion për pjesëmarrjen në protestat kundër qeverisë.

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka ngritur akuza të rënda ndaj Policisë së Shtetit dhe qeverisë së Edi Ramës, duke pretenduar se strukturat operacionale po mbajnë nën përgjim selinë e Partisë Demokratike, ndërsa qytetarëve po u ushtrohet presion për pjesëmarrjen në protestat kundër qeverisë. Përmes një reagimi publik, deputeti demokrat deklaron se pamjet e siguruara nga strukturat policore i përcillen Partisë Socialiste, duke e cilësuar këtë si dëshmi të përdorimit politik të institucioneve të rendit. Sipas Gjekmarkajt, një praktikë e tillë, nëse konfirmohet, do të përbënte shkelje të rëndë të të drejtave kushtetuese dhe të lirive themelore. “Forcat operacionale po mbajnë nën përgjim selinë e Partisë Demokratike dhe çdo pamje abuzive dhe kinse komprometuese i përcillet Partisë Socialiste! Kjo është dëshmi tronditëse e shndërrimit të Policisë së Shtetit nga një institucion që duhet t’u shërbejë qytetarëve, në një polici politike në shërbim të partisë në pushtet”, shprehet ai. Gjekmarkaj ka kritikuar ashpër edhe drejtuesin e Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke e krahasuar me ish-funksionarë të aparatit të sigurisë gjatë diktaturës komuniste. Ai pretendon gjithashtu se komisariatet po thërrasin qytetarë për t’i pyetur nëse kanë marrë pjesë në protesta, duke ushtruar, sipas tij, presion dhe frikësim politik.

“Komisariatet po kthehen në ish-degë të Punëve të Brendshme, duke thirrur qytetarët dhe duke i shantazhuar për të mësuar nëse kanë marrë pjesë apo jo në protestë. Ky është intimidim politik, një përpjekje për të frikësuar qytetarët dhe për t’u mohuar të drejtën kushtetuese për të protestuar”, deklaron nënkryetari i Kuvendit.

Në reagimin e tij, Gjekmarkaj ndalet edhe te përplasjet e fundit mes protestuesve dhe policisë, duke denoncuar dhunën e pretenduar ndaj të rinjve, gazetarëve dhe personave të ndaluar.

Ai përmend rreth 40 incidente të raportuara ndaj përfaqësuesve të medias, goditjen me ujë të automjetit të News24 dhe plagosjen në sy të një të riu gjatë protestës.

Gjekmarkaj pretendon gjithashtu se përmes komunikimeve në radio janë dhënë urdhra për përdorimin e plumbave të gomës dhe gazit lotsjellës ndaj protestuesve.

“Skenat e djeshme të dhunës ishin vërtet tragjike dhe dëshmi e politizimit ekstrem të forcave të rendit. Rreth 40 sulme të policisë ndaj mediave, goditja e shënjestruar me ujë ndaj automjetit të News24, urdhri i transmetuar në radio, ‘gjuani me plumba gome, gjuani me gaz, mos u kurseni!’, vazhdimi i rrahjeve ndaj personave pa ndjenja, plagosja e rëndë në sy e një të riu protestues paqësor, si dhe keqtrajtimi i të ndaluarve në komisariate, janë shenja të frikës dhe të degjenerimit institucional”, shprehet ai.

Nënkryetari i Kuvendit ka reaguar gjithashtu ndaj paketës së re ligjore të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, e cila parashikon ashpërsimin e masave ndëshkuese ndaj pjesëmarrësve në protesta të dhunshme.

Sipas tij, propozimet synojnë kufizimin e lirive qytetare dhe forcimin e kontrollit policor, ndërsa paralajmëron se shqiptarët nuk do të heqin dorë nga e drejta për të protestuar.

“Deklaratat e sotme të kryeministrit Edi Rama për ta shndërruar Shqipërinë në shtet policor janë përpjekje për t’i dhënë goditjen vdekjeprurëse shtetit ligjor në Shqipëri. Por shqiptarët nuk do t’i dorëzojnë të drejtat dhe liritë e fituara me aq mund”, thekson Gjekmarkaj.

Në përfundim, ai akuzon qeverinë për korrupsion, ndërhyrje në zgjedhje dhe pengim të drejtësisë, duke theksuar se institucionet shtetërore duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo të pushtetit politik.

“Shqipëria nuk është pronë e qeverisë, policia nuk është pronë e kryeministrit dhe qytetarët nuk janë nënshtetas të një pushteti që duhet t’i frikësojë.

Shqipëria u përket shqiptarëve dhe liria e tyre nuk negociohet!”, përfn Gjekmarkaj. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb