Policia e Durrësit ka vijuar kontrollet për respektimin e nivelit të lejuar të zhurmës dhe orarit të aktiviteteve me muzikë në zonat turistike, duke ndëshkuar dy pronarë lokalesh në Golem me nga 200 mijë lekë gjobë secilin. Kontrollet janë kryer nga shërbimet e Stacioneve të Policisë Golem dhe Plazh, bazuar në zonat me risk për ndotje akustike, si dhe pas ankesave të qytetarëve. “Gjatë verifikimeve, me pajisje matëse të zhurmës janë kontrolluar disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, për të konstatuar nëse respektohej niveli maksimal i lejuar i zhurmës, sipas legjislacionit në fuqi. Nga matjet rezultoi se në dy lokale në Golem muzika transmetohej mbi nivelin e lejuar. Për këtë shkelje, pronarët e tyre, shtetasit me iniciale G. Gj., 46 vjeç, dhe F. S., 30 vjeç, u ndëshkuan secili me masë administrative prej 200 mijë lekësh”, bëhet me dije nga policia. Paralelisht me kontrollet për zhurmën, policia ka verifikuar edhe respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura në zonat e banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në 24:00.
