Lajme Zone
Policia e Vlorës reagon për konfliktin me armë mes biznesmenëve, por s’guxon të përmend emra
PolitikëJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

Policia e Vlorës reagon për konfliktin me armë mes biznesmenëve, por s’guxon të përmend emra

Ngjarja e rëndë e regjistruar në zonën e Radhimës, ku dyshohet se janë përfshirë në një konflikt të armatosur biznesmenët Vasil Bedini dhe Luan Muça, ka nxjerrë edhe një herë në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të Policisë së Shtetit: një strukturë që dridhet përpara emrave të fuqishëm dhe që reagon vetëm kur nuk ka më asnjë rrugë tjetër se si ta fshehë të vërtetën.

Ngjarja e rëndë e regjistruar në zonën e Radhimës, ku dyshohet se janë përfshirë në një konflikt të armatosur biznesmenët Vasil Bedini dhe Luan Muça, ka nxjerrë edhe një herë në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të Policisë së Shtetit: një strukturë që dridhet përpara emrave të fuqishëm dhe që reagon vetëm kur nuk ka më asnjë rrugë tjetër se si ta fshehë të vërtetën.

Vetëm pas publikimit të lajmit në media, Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht për këtë ngjarje që tronditi bregdetin. Por mënyra se si uniformat blu zgjodhën të "informonin" publikun është një fyerje e hapur për inteligjencën e çdo qytetari. Në njoftimin e saj paraprak, Policia e Vlorës u kujdes me pedantizëm që të mos bënte publik emrin e asnjë prej personave të përfshirë në ngjarje.

Pse kjo frikë panike nga emrat e Vasil Bedinit dhe Luan Muçës? Pse kur bëhet fjalë për qytetarë të thjeshtë, Policia nuk heziton të publikojë gjeneralitetet e plota, fotot dhe detajet më intime, ndërsa kur plumbat kërcasin mes biznesmenëve të fuqishëm, njoftimet zyrtare katandisen në letra me enigma anonime?

Kjo zgjedhje e Policisë së Vlorës nuk është thjesht një gabim komunikimi – është tregues i pastër i degradimit institucional. Në vend që të ishte e pranishme në terren për të parandaluar përplasjet me armë në mes të zonës turistike, Policia zgjodhi të heshtte derisa presioni mediatik e detyroi të nxirrte një komunikate të larë e të shpëlqyer, ku kriminelët apo protagonistët e dhunës mbrohen nga anonimiteti publik.

Kur policia reagon vetëm nga presioni i mediave dhe kur e bën këtë duke fshehur protagonistët e armatosur, ajo pushon së qeni garant i ligjit. Ajo kthehet në një mekanizëm që zbut ngjarjet për llogari të të fortëve, ndërsa qytetarëve u shet përralla me "procedime në gjendje të lirë" apo "hetime në mirëbesim".

Deri kur do të vazhdojë Policia e Vlorës të luajë rolin e propagandistes pas faktit të kryer? Transparenca nuk bëhet me gjysmë-deklarata e me emra të censuruar. Njoftimi i fundit i Policisë nuk është asgjë më shumë se provë e qartë se përpara uniformës blu, jo të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

Njoftimi i plotë i policisë Vlorë:

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli.

Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.

Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Meqenëse veprimet janë dinamike, në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim të plotë për ngjarjen.