Një 45-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër pas një konflikti për motive të dobëta. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 në rrugën “Selaudin Zorba”. Pas marrjes së njoftimit për të shtënat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave. Sipas policisë, si rezultat i veprimeve të para hetimore u identifikua autori i dyshuar, shtetasi me inicialet Xh. Xh., 45 vjeç, i cili është shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Nga të shtënat ka mbetur i dëmtuar lehtë një 37-vjeçar, i identifikuar me inicialet M. G., i cili ndodhej në afërsi të vendit të ngjarjes në momentin kur 45-vjeçari dyshohet se ka qëlluar në ajër. Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
