Policia e Shtetit u ka bërë thirrje prindërve të tregojnë kujdes për fëmijët e tyre, pas pjesëmarrjes së një numri të konsiderueshëm të miturish në protestat e ditëve të fundit. Në një deklaratë për mediat, policia shprehet se në disa raste të miturit janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, të ekspozuar ndaj sendeve të forta, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës. Uniformat blu u bëjnë thirrje prindërve të interesohen për vendndodhjen e fëmijëve, veçanërisht në rastet kur ata mungojnë në shkollë, duke theksuar se siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët. Policia shpreh gjithashtu shqetësimin për raste të dyshuara të përdorimit të të miturve në vijën e parë të përplasjeve, për qëllime të caktuara. Sipas saj, çdo rast i dyshuar i nxitjes apo shfrytëzimit të fëmijëve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente. “Fëmijët nuk janë mburojë e askujt dhe nuk mund të kthehen në instrumente të përplasjeve”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit. Policia thekson se respekton të drejtën për protestë paqësore, por paralajmëron se do të marrë masat e nevojshme dhe proporcionale për të garantuar sigurinë publike. Në fund, u bën thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, si dhe të ndalojnë aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë, institucioneve dhe pronës publike e private.
