Detaje të reja janë bërë të ditura për incidentin e regjistruar më 5 gusht mes të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, dhe një efektivi të Policisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit. Efektivi Rexhep Sina është paraqitur pranë të penduarit tjetër të drejtësisë, Erjon Alibej, prani që dyshohet se ka shkaktuar reagimin e Dumanit.
Në vijim, Dumani dyshohet se i ka hedhur një kovë me ujë efektivit Sina, duke e goditur gjatë incidentit.
Pas përplasjes, Rexhep Sina i është drejtuar me kallëzim Prokurorisë së Tiranës, duke kërkuar nisjen e procedurave për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Rasti është marrë në shqyrtim nga autoritetet, të cilat pritet të sqarojnë rrethanat, shkaqet dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.
Ky nuk është incidenti i parë që lidhet me Dumanin dhe efektivët e Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Në të kaluarën, ai është raportuar se ka pasur një përplasje fizike edhe me të penduarin tjetër të drejtësisë, Amarildo Nikolli.

