Rusia ia ka hequr vërtet stolin e Italisë Andrea Pirlos. E ardhmja e tij në krye të stolit të kombëtares italiane të futbollit nuk ka shanse të realizohet, për shkak të polemikës që shpërtheu të shtunën lidhur me faktin nëse një ambasador global i një kompanie ruse bastesh mund të përfaqësojë Italinë në një rol kaq të rëndësishëm dhe me ekspozim të madh ndërkombëtar. Që prej shkurtit të vitit 2022, kur Moska sulmoi Ukrainën, marrëdhëniet mes Italisë dhe Rusisë janë përkeqësuar ndjeshëm. Reagimet e forta politike pas zgjedhjes së Pirlos si trajner i kombëtares italiane tregojnë qartë sa e ndjeshme është kjo çështje. Giovanni Malagò, kreu i Federatës, ka kërkuar të mbledhë sa më shumë dokumente për të kuptuar më mirë marrëdhënien mes trajnerit të përzgjedhur dhe gjigantit rus të basteve, Fonbet. Dje, avokati Giancarlo Viglione, juristi i Federatës Italiane të Futbollit dhe përgjegjës për marrëdhëniet institucionale dhe zyrën ligjore, kaloi gjithë të dielën duke analizuar dokumentacionin. Ai do të vazhdojë edhe sot, por ajo që ka dalë deri tani ka ngritur jo pak pikëpyetje për presidentin e Federatës. Në fillim mendohej se ekzistonte një lidhje e drejtpërdrejtë mes angazhimit të Pirlos si trajner i United FC të Dubait dhe rolit të tij si ambasador i kompanisë ruse të basteve. Megjithatë, analiza e kontratave ka treguar se bëhet fjalë për dy marrëdhënie krejtësisht të pavarura. Në tavolinën e Federatës ndodhen jo vetëm kontrata e Pirlos me klubin e tij, por edhe një marrëveshje tjetër e firmosur prej tij personalisht me Fonbet, një fakt që sigurisht nuk e përmirëson pozitën e tij. LEXO EDHE:'Çështja ruse' e largoi nga kombëtarja e Italisë, Pirlo e konfirmon: Jam i zhgënjyer, politika nuk ka lidhje me bashkëpunimet e mia! S'jam më kandidat për trajner Dita e sotme pritet të jetë vendimtare. Pasi të mblidhen dokumentet e fundit dhe të sqarohen detajet përfundimtare, Malagò do ta informojë Pirlon për fatin e tij (të vendosur për një 'jo'). Përshtypja është se ai vështirë se do të jetë trajneri i ri i kombëtares italiane në projektin e saj të rindërtimit. Besimi - Presidenti do të duhet të përballet edhe me një çështje tjetër shumë delikate, pakënaqësinë e drejtorit teknik Paolo Maldini, i cili është gati të largohet nëse Pirlo nuk emërohet trajner. Ishte pikërisht Maldini ai që e zgjodhi Pirlon, duke e vendosur pas dy figurave legjendare si Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola, ndërsa e preferoi ndaj trajnerëve më me përvojë dhe më të gatshëm për të drejtuar Italinë, si Antonio Conte dhe Roberto Mancini. Maldini është një njeri i fushës, i apasionuar pas futbollit, një drejtues shumë i vlerësuar dhe tepër i bindur në idetë e tij. Malagò e kishte zgjedhur për t'i besuar drejtimin teknik të Federatës dhe projektit "Club Italia", duke i dhënë besim të plotë. Praktikisht, ai i kishte lënë në dorë Maldinit dhe këshilltarit Leonardo edhe detyrën shumë të rëndësishme për të zgjedhur trajnerin e ardhshëm të kombëtares. Ky besim mbeti i pandryshuar edhe kur opinioni publik, nga mediat te tifozët, reagoi me skepticizëm të madh ndaj kandidaturës së Pirlos. Malagò qëndroi konsekuent, ai kishte vendosur që çdo zgjedhje të bëhej në frymën e bashkëpunimit. Edhe pse reagimet e kishin shqetësuar, ai vazhdoi përpara dhe të premten, pas refuzimit të Guardiolës, mbështeti zgjedhjen e Maldinit dhe Leonardos, duke konfirmuar se Pirlo do të bëhej trajneri i ri i Italisë. Përplasja - Tani situata ka ndryshuar, por jo për arsye teknike. Nëse Malagò arrin në përfundimin se ish-mesfushori nuk mund ta drejtojë kombëtaren, ai do t'i kërkojë Maldinit t'ia kthejë besimin që i është dhënë dhe të kuptojë se vendime të tilla, të lidhura me përgjegjësi institucionale dhe çështje oportuniteti, i takojnë presidentit. Pikërisht për këtë arsye, gjatë dy ditëve të fundit ai ka analizuar me shumë kujdes të gjithë dokumentacionin. Synimi i tij është t'i shpjegojë drejtorit teknik se, përballë disa faktorëve të caktuar, futbolli duhet të tërhiqet një hap pas. Ai dëshiron t'i bëjë të qartë se Federata Italiane dhe kombëtarja nuk janë një klub futbolli, por institucione me përgjegjësi shumë më të mëdha, që shkojnë përtej rezultateve sportive, skemave taktike apo një projekti afatgjatë. Malagò do të takohet sot me Maldinin dhe Leonardon, me shpresën se do t'i bindë të vazhdojnë projektin. Megjithatë, kjo nuk do të jetë e lehtë. Të dy dhe sidomos Maldini, kanë lënë të kuptohet se pa Pirlon në stol, ai vështirë se do të vazhdojë në detyrën e drejtorit teknik. Maldini ka bindjen se çështja ruse po përdoret si një pretekst dhe ndien se autonomia vendimmarrëse që i ishte garantuar gjatë negociatave të gjata, të përmbyllura më 11 korrik, është cenuar. Malagò njihet për aftësinë e tij në ndërmjetësim. Edhe nëse vendos përfundimisht të heqë dorë nga Pirlo, ai shpreson t'i bindë Maldinin dhe Leonardon se nuk kishte alternativë tjetër. Njëkohësisht, ai synon t'u rinovojë besimin për projektin teknik që ata kanë hartuar, një plan shumë ambicioz që, krahas masave urgjente për Nations League, synon të ndërtojë brenda 8-10 vjetësh një sistem futbolli me një filozofi loje të unifikuar, duke filluar që nga akademitë dhe ekipet e moshave. Nëse Maldini mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij, "ose Pirlo, ose asgjë", Malagò do të pranojë dorëheqjen e tij dhe me keqardhje do të kërkojë një rrugë tjetër për realizimin e revolucionit që synon për futbollin italian. Vetë Pirlo ka bërë një reagim ku shprehet i zhgënjyer për mënyrën sesi kjo çështje po trajtohet, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje mes politikës dhe bashkëpunimeve të tij profesionale. Ai konfirmoi se nuk është më në listën e kandidatëve për trajner të Italisë. "Më vjen keq që një zgjedhje me karakter sportiv u shndërrua kaq shpejt në një debat publik, duke i atribuar personit tim domethënie dhe qëllime që nuk më përkasin. Dashuria ime për Italinë nuk varet nga një detyrë apo post. Ajo është pjesë e historisë sime, e identitetit tim dhe do të më shoqërojë gjithmonë", shkruan Pirlo mes të tjerash në reagim. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 12:57 Maldini kërcënoi me dorëheqje, Chiellini në 'pole' për postin e drejtorit teknik! Conte rikthehet favorit për stolin e Italisë Në rast se Paolo Maldini jep dorëheqjen, shumë mbështesin kandidaturën e drejtuesit të Juventusit, Giorgio Chiellini, për postin e drejtorit teknik. Ndërsa për stolin e kombëtares së Italisë, favoriti do të bëhej Antonio Conte.Në vendin me 60 milionë 'trajnerë të Kombëtares', paradoksalisht nuk po gjendet dot një trajner i ri. Historia e Andrea Pirlos duket si një roman i Franz Kafkës. Nuk ka futbollist të tridhjetë viteve të fundit që të ketë gëzuar një admirim kaq të madh e të pakontestueshëm. Ai ishte simboli i futbollit të bukur dhe respektohej edhe nga rivalët që kishin vuajtur talentin e tij në fushë.Të gjithë yjet e tjerë të mëdhenj, Buffon, Totti, Del Piero, Cannavaro, Nesta apo Jorginho, kanë ndarë opinionin publik në periudha të ndryshme, por jo Pirlo.Sot, megjithatë, ai është në qendër të kritikave. Vetë ish-mesfushori u distancua paraditen e sotme, përmes një postimi në rrjetet sociale, nga mundësia për të marrë drejtimin e kombëtares italiane.Asnjë kandidaturë për trajner nuk kishte shkaktuar kaq shumë polemika. Çështja e sponsorizimit me kompaninë ruse të basteve i dha goditjen përfundimtare kandidaturës së tij. Pirlo u bë, në një farë mënyre, një pasojë indirekte e pushtimit rus të Ukrainës.Çfarë ndodh tani? Nga të gjithë skenarët e mundshëm, më i besueshmi parashikon dorëheqjen edhe të drejtorit teknik Paolo Maldini, njeriut që e zgjodhi Pirlon.Një vendim i tillë do të nënkuptonte refuzimin e plotë të projektit të tij. Kështu, Italia do të rrezikonte të mbetej papritur pa trajner dhe pa drejtor teknik, duke u kthyer praktikisht në pikën zero, një muaj pas zgjedhjes së Giovanni Malagòs në krye të Federatës.Nëse presidenti kërkoi Maldinin dhe bëri shumë mirë, sepse kishte nevojë për një figurë të futbollit me vizion, përshtypja është se do të kërkojë menjëherë një pasues për të, përpara se të emërojë trajnerin e ri.Sigurisht, ky nuk është një rregull i shkruar. Malagò mund të vendosë edhe vetë për trajnerin. Në atë rast, emri më i mundshëm do të ishte Roberto Mancini.Megjithatë, edhe Mancini mbetet një figurë që ndan opinionin, për shkak të largimit të tij të papritur nga kombëtarja. Për më tepër, Serie A nuk e mbështet rikthimin e tij, çka do ta bënte të vështirë ndërtimin e një projekti të përbashkët.Chiellini - Nëse Malagò vendos t'i qëndrojë besnik projektit afatgjatë që ka prezantuar, atëherë do të ketë nevojë urgjente për një "krah të djathtë", një drejtues me njohuri të thella të futbollit.Nuk ka shumë kandidatë me këtë profil. Përshkrimi përputhet me një tjetër ish-futbollist shumë inteligjent, kapiten i Italisë kampione të Europës, me dy diploma universitare dhe aktualisht drejtues te Juventusi, Giorgio Chiellini.Që nga korriku, Chiellini ka marrë një rol të ri në klubin bardhezi. Më parë ai ishte përgjegjës për marrëdhëniet institucionale, ndërsa tani mban postin e Drejtorit për Çështjet e Klubit, një detyrë më shumë menaxheriale dhe më pak e lidhur drejtpërdrejt me aspektin sportiv.Mbledhja e Këshillit Federal (FIGC) - Nesër, në cilësinë e drejtuesit federal, Chiellini do të jetë në Romë. Nëse situata përshkallëzohet, ai mund të marrë një ofertë të papritur: "Kemi nevojë për ty."Do të ishte një zhvillim i rëndësishëm, jo krejtësisht i papritur, që do ta detyronte të reflektonte seriozisht jo vetëm për të ardhmen e tij personale, por edhe për atë të kombëtares.Chiellini ishte impresionuar nga prezantimi i Paolo Maldinit dhe Leonardos dhe këtë e kishte deklaruar menjëherë pas konferencës: "Ata janë njerëzit e duhur për ta rindërtuar kombëtaren. Duhet të bëhen disa ndryshime, por besoj se procesi tashmë ka nisur. Paolo e meriton besimin e plotë."Këto fjalë u thanë në një kohë kur emërimi i Pirlos dukej vetëm çështje formalitetesh dhe askush nuk e imagjinonte se çështja e sponsorit rus të basteve do të ndryshonte gjithçka.Conte rikthehet në garë - Nëse Chiellini do të bëhej drejtori i ri teknik, gjithmonë duke folur me rezervat e nevojshme, emri i Antonio Contes do të rikthehej fuqishëm në garë. Conte kishte mbetur jashtë fazës finale të negociatave. Emri i tij nuk hyri as në listën përfundimtare.Ekziston edhe një arsye teknike. Sipas projektit të paraqitur nga Maldini, filozofia e lojës që kërkohej ishte e ndryshme nga ajo e Contes. Serie A ka kërkuar emërimin e Contes dhe është shprehur e gatshme të kontribuojë edhe financiarisht për pagën e tij, e cila, siç dihet, nuk do të ishte më e ulët se 5-6 milionë euro në sezon.Chiellini ka punuar me Conten te Juventusi në periudhën 2011-2014 dhe mes tyre ekziston një marrëdhënie shumë e mirë, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë njerëzor. Vështirë se Conte do të pranonte të ishte alternativa e dytë pas Pirlos. Por nëse projekti do të niste nga e para, gjithçka do të ndryshonte.Nuk është sekret se Paolo Maldini nuk i preferon as Mancinin dhe as Conten. Megjithatë, nëse Pirlo mbeti jashtë dhe Maldini largohet bashkë me të, atëherë gara do të rikthehej pikërisht te këta dy emra. S.Dh/Shqiptarja.com Share Ora 11:29 Marrëveshja ruse, Shevchenko i del kundër Pirlos: E dënoj atë që bëri Miqësi të vjetra, mëri të kohëve të fundit. Andriy Shevchenko, disa muaj më parë, ishte i pakënaqur me turneun promovues të disa ish-futbollistëve italianë në Rusi dhe marrëdhënien e tyre me agjencinë ruse të basteve Fonbet.Materazzi, Totti, Pirlo dhe të tjerë. Këta janë njerëz dhe kolegë për të cilët simboli i futbollit ukrainas, presidenti aktual i federatës, ka ushqyer marrëdhënie respekti dhe miqësie. Sidomos për Pirlon, shokun e tij të ekipit gjatë momenteve të paharrueshme me Milanin.Marrëdhënia e ngushtë mes Andriy Shevchenkos dhe Andrea Pirlos është tronditur.Presidenti i Federatës Ukrainase të Futbollit nuk e fshehu zhgënjimin: “Kam folur drejtpërdrejt me shumë prej tyre dhe kam shprehur qartë kundërshtimin tim dhe qëndrimin e Ukrainës. E dënoj atë që kanë bërë. Ata e kuptojnë situatën, por megjithatë e morën këtë vendim. Ua kam shprehur hapur pakënaqësinë time dhe ata e dinë. Do të duhet të jetojnë me këtë, është zgjedhja e tyre”.Roli i Pirlos si ambasador i 'Fonbet' ka shkaktuar reagime të forta në Ukrainë. Sportisti Vladyslav Heraskevych deklaroi: “Është e trishtueshme të shohësh legjendat e fëmijërisë të shndërrohen në dështime morale, për të cilët asgjë nuk është më e çmuar se rubla ruse. Turp!” S.Dh/Shqiptarja.com Share Ora 09:24 'Çështja ruse' e largoi nga kombëtarja e Italisë, Pirlo e konfirmon: Jam i zhgënjyer, politika nuk ka lidhje me bashkëpunimet e mia! S'jam më kandidat për trajner Mbrëmjen e djeshme, Andrea Pirlo publikoi në Instagram një postim të gjatë, të mbushur me zhgënjim. Në të ai shpjegon natyrën e marrëdhënies së tij me kompaninë ruse Fonbet dhe rithekson dashurinë e tij për Italinë dhe fanellën "azzurre". Sot ai konfirmoi se kishte mësuar se nuk është më në listën e kandidatëve për postin e trajnerit, kjo pasi ishte i përzgjedhuri kryesor i Maldinit.Ish-mesfushori, i cili ishte shumë pranë emërimit si trajner i ri i kombëtares italiane të futbollit, e nis mesazhin me këto fjalë:"Mbrëmë mësova se nuk jam më kandidat për stolin e kombëtares italiane. Ditët e fundit kam ndjekur me shumë zhgënjim debatin që është zhvilluar rreth emrit tim dhe mundësisë për të marrë rolin e trajnerit të kombëtares italiane."Fjala kyçe e mesazhit është pikërisht "zhgënjimi", që pasqyron qartë gjendjen e tij shpirtërore."Nga respekti për institucionet, Federatën dhe të gjithë personat e përfshirë, deri tani kam zgjedhur të ruaj heshtjen. Megjithatë, e konsideroj të domosdoshme të sqaroj disa aspekte. Gjatë gjithë karrierës sime, fillimisht si futbollist dhe sot si trajner, kam ushtruar gjithmonë profesionin tim duke respektuar plotësisht ligjet e vendeve ku kam punuar dhe kontratat që kam nënshkruar.Bashkëpunimi profesional që është bërë objekt i polemikave të fundit ka lindur në kuadër të aktivitetit tim profesional në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është ekskluzivisht i natyrës tregtare dhe sportive. T'i japësh këtij bashkëpunimi një kuptim politik do të thotë të më atribuosh bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk më përkasin."Më pas Pirlo falenderon Paolo Maldinin dhe Leonardon."Dëshiroj të falenderoj Maldinin dhe Leonardon për vlerësimin dhe besimin që kanë treguar ndaj meje. E njoh profesionalizmin, seriozitetin dhe dashurinë që ata i kanë kushtuar gjithmonë futbollit italian.Më vjen keq që një zgjedhje me karakter sportiv u shndërrua kaq shpejt në një debat publik, duke i atribuar personit tim domethënie dhe qëllime që nuk më përkasin. Dashuria ime për Italinë nuk varet nga një detyrë apo post. Ajo është pjesë e historisë sime, e identitetit tim dhe do të më shoqërojë gjithmonë", shkruan Pirlo.Dy kontratatKeqardhja e Pirlos është e kuptueshme, ashtu si edhe fakti që Giovanni Malagò kërkoi një verifikim të plotë të çdo aspekti të kësaj situate të ndërlikuar.Çfarë rezultoi nga analizat? Pika e parë. Në kontratën e Pirlos me United FC Dubai nuk ka asnjë referencë për kompaninë Fonbet. Këtë e konfirmoi edhe pronari i klubit, Sergey Lomakin, i cili deklaroi: "Nuk ekziston asnjë lidhje mes meje, United FC dhe Fonbet."Pika e dytë. Ekziston një kontratë e dytë, e lidhur me sponsorizimet dhe të drejtat e imazhit, të cilën Pirlo e ka nënshkruar në emrin e tij personal. Bëhet fjalë për një marrëveshje të ndërlikuar që e lidh ish-mesfushorin me Fonbet, edhe pse nuk është ende e qartë nëse kjo lidhje është e drejtpërdrejtë apo realizohet përmes një kompanie të tretë. Pikërisht ky element konsiderohet nga Malagò si veçanërisht i papërshtatshëm dhe problematik. S.Dh/Shqiptarja.com Share S.Dh/Shqiptarja.com TAG: Italia itali Giovanni Malago andrea pirlo Paolo Maldini Komento Komente Sondazhi i ditës:
24 Korrik, 13:38
Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri? Po 62.9% Jo 30% Nuk e di 7% Vota total: 4976 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Korrik, 13:38 Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?

