Qyteti liqenor i Pogradecit po përballet me një fluks të jashtëzakonshëm vizitorësh dhe trafik mjaft të rënduar gjatë këtij mesi gushti. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku gjysma e dytë e gushtit shënonte largimin e mjaft pushuesve, këtë sezon po ndodh e kundërta. Temperaturat më të freskëta kanë bërë që një numër i madh qytetarësh të zgjedhin pikërisht Pogradecin për të kaluar pushimet e tyre verore. Situata e qarkullimit rrugor rëndohet akoma më shumë gjatë fundjavës, e nxitur edhe nga aktivitetet e shumta kulturore e koncertet që po zhvillohen në zonën e juglindjes. Për të përballuar radhët e gjata të automjeteve në rrugët e brendshme të qytetit dhe për të lehtësuar lëvizjen, efektivat e Policisë Rrugore janë dislocuar në disa pika kyçe ku po punojnë për normalizimin e trafikut.
