Poezitë e pavdekshme të Lasgush Poradecit, si “Më zu një mall”, “Malli”, “U patmë nisur”, “Vallja e Yjeve”, “Ku shtrohet vala” dhe “Poradeci”, janë bërë burim frymëzimi për kantautorin pogradecar Xhon Jesku, i cili ka krijuar gjashtë këngë të reja të mbështetura në lirikat e poetit të madh. Sipas vetë artistit, kjo është një punë e vështirë dhe një përgjegjësi e madhe, pasi kthimi i vargjeve të Lasgushit në tinguj kërkon ndjeshmëri artistike dhe respekt maksimal për veprën e lirikut të madh shqiptar. Pjesë e koncertit “Valsi i Yjeve” ishte edhe vajza e Lasgush Poradecit, Maria Gusho, e cila e ndoqi koncertin me emocione të forta. Ajo u shpreh e lumtur që Xhon Jesku ka gjetur frymëzim në krijimtarinë e babait të saj dhe ka sjellë një interpretim të ri muzikor të poezive të tij. Një nga poezitë e përzgjedhura, “Poradeci”, është punuar me synimin që të shndërrohet në himnin e qytetit dhe të bëhet pjesë e aktiviteteve dhe eventeve të ndryshme kulturore të Pogradecit. Kjo nismë synon të afrojë brezat e rinj me trashëgiminë poetike të Lasgush Poradecit dhe ta mbajë të gjallë frymën e tij artistike në jetën kulturore të qytetit.
