Lajme Zone
“Po përpiqen të na fshijnë si komb”/ Rusia godet shtypshkronjat ukrainase, mbi 12 milionë libra shkatërrohen para vitit të ri shkollor
BotëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

“Po përpiqen të na fshijnë si komb”/ Rusia godet shtypshkronjat ukrainase, mbi 12 milionë libra shkatërrohen para vitit të ri shkollor

Sulmet ruse kanë shkaktuar dëme të mëdha në industrinë botuese të Ukrainës, duke shkatërruar miliona libra dhe duke goditur shtypshkronja, depo dhe shtëpi botuese në të gjithë vendin.

Sulmet ruse kanë shkaktuar dëme të mëdha në industrinë botuese të Ukrainës, duke shkatërruar miliona libra dhe duke goditur shtypshkronja, depo dhe shtëpi botuese në të gjithë vendin. Në periferi të Kievit, Viktoria Haidai shqyrton rrënojat e një shtypshkronje që duhej të ishte në punë për përgatitjen e materialeve shkollore për vitin e ri akademik.

Fabrika u godit gjatë natës nga një raketë ruse, pikërisht në kohën kur prodhimi ishte rritur për të përgatitur rreth 1.3 milionë libra, ose afërsisht 10% të teksteve shkollore që nevojiten në Ukrainë.

Mes rrënojave është gjetur një faqe e djegur nga një libër shkollor i gjuhës angleze, ku shkruhet: “Emri im është William. Jam nga Mbretëria e Bashkuar. Gjyshja ime jeton në Nottingham. Është një qytet i bukur.”

Sipas raportimeve lokale, sulmet e fundit ruse ndaj shtypshkronjave dhe shtëpive botuese kanë shkatërruar rreth 12 milionë libra dhe kanë dëmtuar objekte të rëndësishme të lidhura me historinë dhe kulturën ukrainase. Mediat lokale raportojnë gjithashtu se Rusia ka shkatërruar rreth një të tretën e librave të shtypur në Ukrainë gjatë këtij viti.

Në shtypshkronjën e goditur në Kiev, pothuajse asgjë nuk ka mbetur e paprekur. Edhe librat që i kanë shpëtuar flakëve janë dëmtuar nga uji i përdorur për shuarjen e zjarrit ose nga ekspozimi ndaj reshjeve pas shembjes së çatisë.

“Unë besoj se kjo është e qëllimshme nga ana e Federatës Ruse”, tha Haidai, drejtore komerciale e kompanisë botuese Konvi.

Sipas saj, gjatë dy muajve të fundit, disa nga shtëpitë botuese më të mëdha në Ukrainë kanë humbur depot e tyre logjistike, ku ruheshin sasi të mëdha librash.

“Rusët po shkatërrojnë gjithashtu shtypshkronjat, në një përpjekje për ta fshirë Ukrainën si komb. Por, sinqerisht, ata nuk do të kenë sukses”, shtoi ajo.

Më shumë se 35 ndërtesa të industrisë botuese janë goditur gjatë javëve të fundit, sipas autoriteteve ukrainase.

Sulmet nuk janë kufizuar vetëm te librat e rinj dhe objektet industriale. Edhe tregu i librave të përdorur në Pochaina të Kievit është goditur, duke shkatërruar qindra tezga dhe një numër të madh librash me vlerë.

Para se zjarrfikësit të përfnin shuarjen e flakëve, blogerja 28-vjeçare e librave, Liliya Velyka, po kërkonte mes rrënojave për të parë nëse mund të shpëtohej ndonjë libër.

Ajo mbante në duar një kopje të lagur të një romani fantastiko-shkencor.

“Librat po na shpëtojnë dhe humbja e tyre është si humbja e zemrave tona”, tha Velyka.

Përveç industrisë së librit, lufta ka dëmtuar edhe muzeume, galeri arti, studio filmike, biblioteka dhe teatro.

Në kompleksin historik të Lavrës Kiev-Pechersk, një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Ukrainës, u dëmtuan edhe kupolat e arta të Katedrales së Fjetjes së Shenjtë.

Artefaktet fetare u zhvendosën në një vend të sigurt, ndërsa një pjesë e madhe e çatisë u përfshi nga flakët pas një sulmi me dron. Sipas vlerësimeve, riparimi i dëmeve pritet të kushtojë rreth 11.2 milionë dollarë dhe të zgjasë deri në dy vjet.

Kompleksi është gjithashtu shtëpia e Muzeut të Librit dhe Shtypshkronjës së Ukrainës. UNESCO e përfshiu Lavrën Kiev-Pechersk në listën e trashëgimisë botërore në vitin 1990, ndërsa në shtator 2023 kompleksi u shtua në listën e trashëgimisë botërore në rrezik.

Gjatë aktiviteteve të fundit për shënimin e 975-vjetorit të themelimit të manastirit, drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, Khaled El-Enany, tha se ishte “thellësisht i trishtuar” nga dëmet e shkaktuara.

“UNESCO dënon me forcë të gjitha sulmet ndaj pronës kulturore të mbrojtur sipas ligjit ndërkombëtar”, deklaroi ai në prani të personaliteteve, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ministrja e Kulturës së Ukrainës, Tetyana Berezhna, tha se dëmet kulturore dhe pasojat ushtarake të luftës nuk mund të shihen të ndara.

“Kjo është një luftë ekzistenciale. Rusia dëshiron të na shkatërrojë si komb dhe të na fshijë si komb, sikur ukrainasit të mos ekzistojnë dhe të mos kenë ekzistuar kurrë. Kjo është arsyeja pse Rusia synon trashëgiminë tonë kulturore dhe simbolet e pranisë sonë këtu”, tha Berezhna.

Sipas saj, Rusia ka sulmuar më shumë se 1,900 objekte të trashëgimisë kulturore ukrainase dhe mbi 2,000 institucione kulturore.

Ukraina po përdor gjithashtu digjitalizimin si një mënyrë për të mbrojtur veprat e artit dhe letërsinë dhe për të siguruar që brezat e rinj të vazhdojnë të kenë qasje në to, pavarësisht shkatërrimit të materialeve fizike.

Ekspertët kanë paralajmëruar se e gjithë industria botuese ukrainase është nën presion të madh dhe se nevojitet mbështetje ndërkombëtare për të garantuar mbijetesën e saj.

Në shtypshkronjën e shkatërruar në Kiev, Haidai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së industrisë së librit.

“Fjala është gjithçka. Është zhvillimi ynë, kultura jonë dhe trashëgimia jonë historike, e cila përcillet nga një brez te tjetri”, tha ajo. Top Channel